Ambasadori hungarez: Pa vizë, s’keni pse ia mësyni kufirit të Hungarisë

07.09.2017 15:59:33

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha priti në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz me të cilin biseduan për situatën aktuale, me theks të veçantë për lëvizjet migratore dhe mundësinë e keqpërdorimit dhe keqinformimit të qytetarëve nga grupet e ndryshme të krimit të organizuar.

Hoxha dhe Markusz gjatë diskutimit vlerësuan dhe konstatuan faktin që nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, Kosova tashmë vlerësohet si vend i sigurt i origjinës dhe se asnjë nga këto vende nuk jep azil për qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, ata porositën qytetarët “të mos bien pre e grupeve të ndryshme të krimit të organizuar të cilët merren me trafikimin e qenieve njerëzore, sepse pa një vizë valide, nuk mund të kalohet kufiri i Hungarisë, përkundrazi, kodi penal i Hungarisë parasheh dënime të ashpra për kalime ilegale të kufirit”, transmeton Klan Kosova.