Ambasadori i ri në Greqi, Bushati shpërthen kundër qeverisë

21.07.2020 11:58:39

Propozimi i ministrisë së Jashtme për të emëruar ambasadorin e ri në Greqi shkakton përplasje të forta brenda socialistëve në komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme. Ministrja e Jashtme, kishte propozuar me urgjencë emrin e Luela Hajdaragaj, pas skandalit me pasaporta në ambasadën shqiptare në Greqi, që solli shkarkimin e ambasadores Ardiana Hobdari.

Por ky propozim ka hasur kundërshtimin e ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, duke dalë kundër emrit të ri, pasi sipas tij, kandidatura e paraqitur nuk i plotëson kriteret.

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka ngritur shqetësimin në Komisionin e Jashtëm se me kandidaturën për ambasadore të Shqipërisë në Greqi, po shkelet tradita 100-vjeçare e vendosur mes dy vendeve. Sipas Bushatit, në të gjithë format e qeverisjes që nga 1923-i, kur u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë, kanë përfaqësuar vendin personalitete të spikatura.

“Për herë të parë në 9 janar 1923 kemi vendosur raportet diplomatike me Greqinë. Dhe Pandeli Vangjeli në atë kohë ministrit të jashtëm ka propozuar Mithat Frashërin, e dimë që ishte një nga personalitetet më të spikatura të kohës. Nëse shohim historikun, pavarësisht formave të qeverisjes, mbretëri, periudha e luftës, pas luftës, pas komunizmit, rezulton që të gjithë kandidatët për ambasadorë apo ata që kanë shërbyer ne Greqi ose kanë qenë njerëz me karrierë të spikatur brenda shërbimit të jashtëm, ose njerëz të një profili shumë të lartë publik.Ali Asllani, Stavro Stavri, Xhafer Vilën, Lik Seitin, Bashkim Dinon, Ksenofon Nushin, Qazim Tepshi, Hysen Cabej, Bashkim Zeneli, Vili Minarolli, Dashnor Dervishi”, deklaroi Bushati.

Ish-klryediplomati, i kthyer në një zë kundër qeverisë, theksoi se sa i përket traditës shtetërore në raport me Greqinë, ambasador mund të bëhesh duke pasur “një histori karriere, pra nuk bëhesh me bashkëngjitje”.

“Për të evituar çdo keqkuptim përcaktuam një rregull për shërbimin e jashtëm sipas të cilit ambasador bëhesh në rast se ke një karrierë të pandërprerë në shërbimin e jashtëm e minimalisht duhet të kesh gradën këshilltar, e që të marrësh këtë gradë duhet 12-15 vjet eksperiencë pune , ose do vish nga jashtë karriere”.

Sipas tij, mazhoranca duhet të zbatonte ligjin për shërbimin e jashtëm, duke kërkuar respektimin e plotë të tij, duke iu përmbajtur gradës dhe karrierës.

“Duhet të kemi arsyetim pse po e ndryshojmë traditën e së dyti a jemi aspo s’jemi në kushtet e ligjshmërisë? Nuk jemi në kushtet e ligjshmërisë, atëherë le ta hapim fare këtë proces e ti themi praktikave të deritanishme lamtumirë se në fund të ditës të jemi të ndershëm. Mua do më vinte keq se është ligj i votuar nga mazhoranca është ligj që ende s’është maturuar plotësisht se kanë kaluar vetëm 5 vite. Po mund të jemi bërë pishman qoftë dhe për këtë në fund të ditës ku duam të kthehemi tek sistemi i kuotave ku ish kryetarë bashkish, ish kryetarë komunash ish kryetarë partish, emëroheshin ambasadorë, ama ta kemi të gjithë këtë proces në ligjshmëri T’i kemi parasysh në raport me të gjitha procesi të jetë i mbështetur ,ose në traditë 100-vjeçare ose të ndryshojmë traditën e ligjin e të jemi të qetë me ndërgjegjen tonë”, tha Bushati.

Në komision u diskutua propozimi i ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, për ambasador të Shqipërisë në Greqi, kandidatura e vajzës së ish- ministrit të ndjerë të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, Luela Hajdaraga. Deputeti i opozitës, Ralf Gjoni në lidhje me qëndrimin e Bushatit, u shpreh se nuk është hera e parë që ka pasur emërime edhe jashtme sistemit, duke nënkuptuar se ato edhe gjatë kohës kur vetë deputeti socialist ishte në postin e ministrit të Jashtëm.