Ambasadorja gjermane, Angelika Viets: Kosovës i duhet një Qeveri stabile

09.08.2017 23:07:55
Ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets, e cila tashmë po e përmbyll misionin e saj diplomatik në Kosovë, ka kërkuar që sa më parë të formohet një qeveri stabile evropiane.

Këto komente ajo i ka bërë gjatë një takimi lamtumirës me ministren në detyrë të Dialogut, Edita Tahiri.

Kjo e fundit vlerësoi lartë marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Gjermanisë si dhe i shprehu falënderimet ambasadores gjermane Viets për kontributin e saj të madh për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy shteteve.

Ajo tha se Qeveria e Kosovës çmon lartë mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për fuqizimin e Kosovës dhe avancimin e integrimit euroatlantik të saj.

Po ashtu, ajo theksoi se roli i Gjermanisë ka qenë shumë i rëndësishëm në procesin e dialogut për fqinjësi në Bruksel, sepse i ka dhënë shtytje këtij procesi në momente të rëndësishme në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Ambasadorja Angelika Viets e ka falënderuar ministren Tahiri për ftesë për drekë lamtumirës, duke thënë se ndjehet e kënaqur që ka mundur të ndihmojë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe se është e gëzuar se Kosova në këtë periudhë ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilzim Asociim me BE-në, ndërkohë uroi që institucionet e reja të krijohen sa më shpejtë duke thënë se Kosovës i duhet një qeveri stabile dhe evropiane.

Ambasadorja Viets po ashtu vlerësoi angazhimet e Kosovës në dialogun e Brukselit, duke thënë  se ky dialog është i rëndësishëm sepse i shërben paqes, fqinjësisë dhe integrimeve euroatlantike që janë qëllimet e shtetit të Kosovës,