Amnistia, lirohen 731 dënuar nga burgjet e Shqipërisë

15.01.2017 00:20:26

Ka nisur që në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm lirimi nga burgu i personave që kanë fituar lirinë nga amnistia. Bëhet fjalë për 731 të dënuar që përfitojnë nga amnistia e iniciuar nga Ministria e Drejtësisë. Ashtu sikurse ishte parashikuar në aktin e miratuar nga Parlamenti në fund të dhjetorit të shkuar, zbatimi i amnistisë nisi në mesin e muajit janar.

130 të dënuar në Burgun e Peqinit, kanë lënë sot qelitë pasi përfituan nga amnistia.

Dikush del i vrenjtur pasi lë qelinë ende i bindur se vendimi ndaj tij ka qënë i padrejtë, një tjetër i buzëqeshur se ankthi mbaroi.

Ka nga ata që lëvizin të qetë duke përshëndetur punonjësit e policisë, por ka edhe nga ata që vrapojnë drejt derës që më në fund po hapet.

“Isha dënuar për vrasje. Kisha më pak se një vit burg. Vrava një shok pa dashje”, thotë një nga të liruarit e burgut të Peqinit.

“Isha dënuar për hashash. Mbajtës në shtëpi. Për mua vendim i padrejtë, sepse rastësisht kisha një sasi të vogël”, thotë një tjetër i liruar.

“Unë isha i dënuar për trafik droge”, thotë një tjetër.

Drenovë
Nga burgu i Drenovës dolën 55 të dënuar. Rrëfimet e atyre që sapo i rikthehen lirisë kanë qenë nga më të ndryshmet por përpos mirënjohjes për përfitimin e lirisë ata duket se janë të vetëdijshëm për vështirësinë që i pret përballë rikthimit në një jetë normale.

“Më kishin ngelur dhe 4 muaj e gjysëm, isha dënuar pesë vjet. Tani të shkojmë në shtëpi, të shohim ndonjë punë, si të jetë më e mira”, thotë një i amnistuar nga burgu i Drenovës.

“Ndihma e kufirit të paligjshëm në të cilën unë nuk e kam shkelur ligjin. Këtë burg e kam bërë fare kot”, thotë një tjetër

Fier
152 të dënuar janë liruar duke përfituar nga amnistia në burgun e Fierit. Më të rinjtë thonë se janë të gatshëm për të rrifilluar jetën normale.

Të kënaqur nga falja, ka edhe nga ata që i kërkojnë shtetit qe drejtësia të veprojë njësoj për të gjithë.

“Në radhë të parë është humanizmi. Drejtësia qoftë e drejtë apo e padrejtë e shohim”, thotë një i liruar nga burgu i Fierit.

“Isha dënuar për vjedhje me dhunë. E bëra nga papunësia, nga ekonomia që jemi të dobët”, thotë një i ri i sapo dalë nga burgu.

“Isha dënuar për aksident. Jam i kënaqur nga amnistia”, thotë një tjetër që la qelinë.

Numri më i madh i të burgosurve që do të lirohen:

Nga burgu i Fierit do të lirohen 150 të dënuar

Nga burgu i Peqinit do të lirohen 131 persona

Nga burgu i Lezhës do të lirohen 117 të dënuar

Nga burgu i Rrogozhinës do të lirohen 110 të dënuar

Nga burgu “Ali Demi” në Tiranë do të përfitojnë 9 gra të burgosura

Nga burgu 313 në Tiranë do të lirohen 7 të burgosur

Nga burgu 302 do të lirohen  4 të burgosur