Analistët: Nga shkëmbimi i territoreve, Kosova do të dilte humbëse

12.02.2017 16:56:40

Idetë për shkëmbim të territoreve ndërmjet vendeve dhe popujve të Ballkanit, do të mund të ishin fatale për shtetin e Kosovës nëse do të realizoheshin në praktikë, thonë njohësit e zhvillimeve politike.

Zgjidhjet etnike në epokën e shteteve moderne, sipas publicistit Halil Matoshi, janë modele të tejkaluara. Andaj, si të tilla, vijon ai, do të duhet konsideruar si të papranueshme.

“Në këtë rast, Kosova praktikisht nuk e kontrollon as territorin e vet, në veri të vendit, domethënë në tri komunat me shumicë serbe e lëre më Luginën e Preshevës me të cilën pretendohet shkëmbimi i territoreve. Pra, vetëm ideja si e tillë është tepër e dëmshme për shtetin e Kosovës”, thotë Matoshi.

Sa herë që flitet për shkëmbim të territoreve në raportet Kosovë-Serbi, në analizat e para përmendet si opsion shkëmbimi i pjesës veriore të Kosovës me Luginën e Preshevës në Serbi. Por, ide të tilla, sipas Halil Matoshit, si pasojë fillestare kanë humbjen e resurseve të çmueshme ekonomike që i posedon Kosova në pjesën veriore, si Trepça dhe Liqeni i Ujmanit. Kurse, si efekt final, një aventurë e tillë politike, thotë ai, do të mund të përmbyllej me zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Ndërkohë, politologu Ramush Tahiri rikujton një rast historik kur kishte marrëveshje për këmbim territoresh dhe popullatash, siç ishte rasti me Marrëveshjen e Lozanës, ndërmjet Turqisë dhe Greqisë. Por, pavarësisht kësaj marrëveshjeje, problemi i ishujve kishte mbetur dhe ishte trashëguar. Në rastin e Kosovës, Tahiri thotë se liderët duhet të tregohen të aftë që të gjejnë zgjidhje, të cilat do të ishin të pranueshme dhe nuk do të sillnin konflikte.

“Me njohuritë e mia, do të thotë pa qenë Kosova anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe pa e rrumbullakuar subjektivitetin ndërkombëtar dhe sovranitetin e plotë, nuk mund të bisedojmë për territore. Nëse Kosova hyn në bisedime me Serbinë apo Beogradin, ju e dini që Beogradi thotë që po bisedon me përfaqësuesit e shqiptarëve. Pra, Beogradi mundohet ta paraqesë një karakter fisnor të bisedimeve, për të drejtat e shqiptarëve”, thekson Tahiri.

Para se të mendojë për territore e ndryshim kufijsh, Kosova, thekson Ramush Tahiri, duhet t’i përmbyllë disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me funksionimin e një shteti të pavarur e sovran. Në raport me Serbinë, ai preferon që çështja të rregullohet duke integruar pjesën veriore të Kosovës të populluar me shumicë serbe, e cila do t’i ruante lidhjet me Serbinë në fusha si arsimi, shëndetësia e kultura.

Idetë për ndarje e shkëmbim territoresh, jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por vendeve të ndryshme të Ballkanit që po përballen me probleme ndër-etnike, janë përfolur si nga intelektualë e politikanë në Kosovë ashtu edhe nga disa përfaqësues të caktuar ndërkombëtar. Por, këto ide, në formën zyrtare publike, nuk janë ngritur si pjesë e diskutimeve në negociatat politike. Në procesin e Vjenës, kur me ndërmjetësimin ndërkombëtar ishte diskutuar për statusin e Kosovës, ndarja e Kosovës apo bashkimi i saj me një vend tjetër, ishin lënë anash tavolinës së diskutimeve, duke mos lejuar as hapjen e kësaj çështjeje për negociata.