Anëtari i shkarkuar i bordit të RTK-së kërkon të themelohet Komision Hetimor Parlamentar

09.07.2021 17:36:52

Albinot Malokut, anëtari i shkarkuar i bordit të RTK-së ka thënë se është shkarkuar nga Kuvendi pa i dhënë arsye individuale për këtë vendim.

Për këtë arsye, Maloku kërkon që të themelohet Komision Hetimor Parlamentar për të bëmat e RTK-së.

Maloku ka thënë se përvoja e tij si anëtar i bordit ishte e shkurtër, por e mjaftueshme për të vlerësuar se të bëmat në transmetuesin publik janë shtresuar prej vitesh dhe se  përbërja aktuale e bordit ka mundur të jetë impotente përball këtyre shtresimeve.

Reagimi i plotë:

Të nderuar miq,

Sot, po bëhen dhjet muaj e njëzet e pesë ditë që kur ligjvënësit e legjislaturës së shtatë të Republikës së Kosovës, përmes votës së tyre, më dhanë besimin të jem anëtar i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës. I falënderoj 42 votuesit e kandidaturës sime të 14 gushtit të 2020-tës, nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe ata deputetë të subjekteve politike përfaqësuese të bashkësive tjera etnike në Kuvendin e Kosovës.
Prej mbledhjes së parë në Bordin e Radio Televizionit të Kosovës e deri në mbledhjen e fundit, vogëlsia ime është angazhuar që në frymën e ligjit dhe të paanësisë të jap kontributin profesional e intelektual në mbarëvajtjen e punës së transmetuesit publik.

Përvojën time në transmetuesin publik (prej 14.08.2020 deri me 08.07.2021, kur ligjvënësit e legjislaturës së tetë të Republikës së Kosovës më shkarkuan pa më pyetur për bëmat e mija në bordin e këtij transmetuesi dhe pa më dhënë arsyen individuale të shkarkimit), nuk e konsiderojë impresionuese, por dosido me mësime.

Bordi i RTK-së është organ kolegjial ku vendimet merren me votën e shumicës. Në shumë raste, diskutimet e mija në bord, për shkak të kundërshtisë agresive ndaj parregullsive, nuk përfaqësonin natyrën e karakterit tim. Periudha e angazhimit tim në Bordin e RTK-së ishte shumë e shkurtër, mirëpo e mjaftueshme për të vlerësuar se të bëmat në transmetuesin publik janë shtresuar prej vitesh. Dhe përbërja aktuale e bordit ka mund të jetë impotente përball këtyre shtresimeve.

Kam mësuar po ashtu që Kuvendi i Kosovës, si themelues i RTK-së dhe zgjedhës i Bordit të RTK-së nuk ka qenë bashkëpunues dhe ndihmues i bordit, por më shumë gjykues i tij. Këtë e kam thënë edhe në takimin vetëm e të parë, para Komisionit Parlamentar për Medie të Kuvendit të Kosovës. Dua të shpresojë që kjo praktik duhet të ndryshojë. E ky ndryshim nuk ka për të ndodhur vetëm me yrysh-shkarkimin e ndodhur me 08.07.2021 dhe pa vlerësuar bëmat e anëtarëve të Bordit veç e veç, qoftë ata që u zgjodhën me 14.08.2020 e qoftë ata që ishin të emëruar më përpara.

Ligjvënësit e legjislaturës aktuale nuk kanë bërë asgjë nëse kënaqen vetëm me “fluturimin e Bordit të RTK-së” e nuk angazhohen për të çuar sa më parë përpara premtimin për një Komision Hetimor Parlamentar për të bëmat në RTK. Edhe pse për së mbari do të duhej të themelohej ky komision, e më pastaj të ndodhnin ato që ndodhën në Kuvendin e Kosovës.

Pavarësisht rrjedhave të prodhuara me 08.07.2021 nga Kuvendi i Republikës dhe epilogut, dua të cek edhe këtë. Brenda Radio Televizionit të Kosovës, ka shumë gazetarë e gazetare profesionistë, kameramanë e moderatorë të shkëlqyer. Ka punëtorë të përkushtuar si në televizion, ashtu edhe në radio. E them me kompetencën e informacionit se RTK, nga të gjitha televizionet publike në rajon, është kampion i respektimit të të drejtave në informim në gjuhet e bashkësive etnike – jo shumicë.
Të nderuar miq, deri në angazhimet e radhës, mirë mbetshi.