“Antigona” vepra e njohur e Sofokliut do të vijë së shpejti premierë në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” sipas përshtatjes së Zhan Anuil, dhe regjisë së Andrea Brusque. Në role kryesore do të intepretojnë aktorët Laura Nezha, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Xhino Musollari, Xhulia Musagalliu, Adriana Tolka, Endri Çela dhe Klejdi Metaj.
“Jam e apasionuar me Antigonën e Jean Anouilh sepse kjo heroine e kontemporane përcjell mesazhe që i kalojnë kufinjtë. Është historia e një vajze të re që thotë Jo, që kundërshton. Ajo thotë atë që mendon, dhe kjo liri e të shprehurit do t’í kushtoj jetën, një jetë që nuk ia vlen ta jetojë ndryshe. Përballë Antigonës edhe më i fuqishmi bëhet i dobët sepse e vetmja që që nuk e bëjmë dot është të detyrojmë dikë të jetojë”, thotë regjisorja Brusque.
Sipas saj, të gjithë ne kemi brenda vetes një Antigonë, e cila kur zgjohet na inkurajon të bëjmë zgjedhje radikale. ”Ky konflikt konflikt midis tiranit dhe revolucionarit është diccka që na prek thellësisht pasi ka të bëjë me të gjithë ne. Jean Anouilh luan mrekullisht me kodet e tragjedisë. Me humor dhe me distancë ai të kujton së të gjithë personazhet do të vdesin dhe kjo është e pashmangëshme, por lajmi i mirë është që ne, spektatorët, jemi gjallë, ndaj ka ende shpresë”, shprehet Andrea Brusque. Zhan Anuil (1910 – 1987) ishte autor dramatik, teoricien, kritik dhe shkruante për film e televizion. Ai interesohej për rolin e individit në shoqëri dhe përplasjen mes idealizmit dhe realizmit brenda individit.
Antigona e Zhan Anuil është një përshtatje e tragjedisë së Sofokliut me të njëjtin titull. E shkruar në vitin 1942, kur trupat naziste pushtuan Francën, historia sillet rreth konfliktit të Antigonës idealiste dhe xhaxhait të saj të ngurtë, Kreonit, në lidhje me varrimin e vëllait të Antigonës, Poliniku. Gjithashtu vepra u interpretua se përfaqësonte luftën e lëvizjes së Rezistencës franceze kundër forcave të qeverisë Vishi′ gjatë kulmit të pushtimit nazist. Varianti i Anuil i Antigonës prek tema si tragjedia, meta-teatri, idealizmi i rinisë, kompromiset e moshës madhore, dueli mes moralit dhe politikës, si edhe zgjedhjet dhe paqartësitë e jetës në një botë komplekse jo bardhë e zi.
Antigona është njëra nga seria e pjesëve dramatike të Anuil, që kanë si bazë mitologjinë greke. I zhgënjyer dhe i tronditur nga ngjarjet e Luftës II Botërore, ai shkroi gjithashtu Euridika (1942) dhe Medea (së pari e vënë në skenë në 1937 dhe e botuar në 1946), të cilat ishin gjithashtu variante të përshtatura të klasikeve origjinale greke. Këto vepra eksploronin rolin e fatit në jetët e njerëzve. E vlerësuar shpesh si kryevepra e tij, Antigona çimentoi reputacionin e Anuil si autor dramatik. Vepra qe sukses i menjëhershëm, kur u vu në skenë së pari në Paris në vitin 1944.