Apostolova bën thirrje për transparencë gjatë numërimit

19.11.2017 18:58:35

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka vizituar shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, e cila është një nga qendrat më të mëdha të votimit në kryeqytet.

Nga ty Apostolova bëri thirrje për transparencë gjatë numërimit të votave. Sipas saj që kjo të jetë e mundur është e rëndësishme që secili vendvotim të ketë vëzhgues  nga të gjitha partitë.

Përfaqësuesja e BE-së në “Faik Konica” ka biseduar me vëzhguesit dhe është interesuar për mbarëvajtjen dhe numrin e votuesve në këtë qendër.

“Nuk jemi këtu për të vlerësuar procesin zgjedhor por për të parë se si po shkon ky proces. Ditët në vijim BE do të dal me një raport për këtë proces zgjedhor”, tha Apostolova para gazetarëve, duke shtuar se nëse bazohet në raportet e BE, procesi u organizua mirë.

Ajo u ka uruar gjithë komisionarët dhe vëzhguesesit punë të mbarë dhe ka bërë thirrje për transparencë.

Sot në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet lokale ku në 19 komuna po votohet për raundin e dytë, ndërsa Komuna e Parteshit është në rivotim.