Arianit Koci: Besoj fuqishëm në lirimin e Haradinaj

01.03.2017 12:07:06

Arianit Koci, avokat i liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt ka thënë se  bazë të asaj që ka thënë Gjykata në Colmar të Francës në seancën e kaluar, çështja e Haradinajt do të shtjellohet dhe vendimi përfundimtar për kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij do të shpallet më 2 mars.

Koci ka thënë se meqenëse Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, do të lirohet edhe nga Gjykata në Colmar.

“Meqenëse Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshën në Tribunalin e Hagës, besojmë fuqishëm se Serbia nuk ka mundur të sigurojë “prova të reja” siç është pretenduar prej saj. Prokurorët e Hagës kanë hetuar me kujdes çdo ditë të luftës ku Haradinaj ka qenë pjesëmarrës, dhe nuk kanë arritur të dëshmojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm asnjë pikë të aktakuzës. Fuqishëm besoj se vendimi final lidhur me kërkesën për ekstradim do të jetë në favor të Haradinajt”, ka deklaruar Koci.

Më tej, Avokati i Haradinajt ka thënë se institucionet e Kosovës është dashur të angazhohen më herët, që të parandalojnë një rast të tillë, duke parashtruar kërkesë nëpërmjet UNMIK-ut në Interpol, për anulimin e urdhërarrestit ndërkombëtar për Haradinaj.

Megjithatë Koci ka thënë se pas arrestimit të Haradinajt institucionet e vendit kanë bashkëpunuar me ekipin mbrojtës për të siguruar provat e nevojshme.

“Sa i përket mbështetjes së institucioneve të Kosovës pas arrestimit të Haradinaj, mendoj që institucionet relevante kanë bashkëvepruar në mbledhjen e provave dhe dokumentacionit përkatës të kërkuar nga ekipi mbrojtës i Haradinaj”, ka përfunduar Koci.

Kështu, nesër pritet që Gjykata e Apelit në Colmar të Francës të marr vendimin lidhur me rastin e Ramush Haradinajt, i cili u arrestua në fillim të këtij viti në  zonën franceze të aeroportit të Bazelit, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Gjykata në Colmar ka liruar me kusht Haradinajn, iu cili aktualisht gjendet në Strasburg të Francës dhe është në pritje të vendimit  të Gjykatës së Apelit.