Arifi: S’kishte bisedime në Bruksel, pala serbe nuk ishte e interesuar për tema tjera, përveç Asociacionit

29.03.2018 15:22:20

Shefi i ekipit negociator, Avni Arifi gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike ka thënë se nuk ka pasur rezultat nga bisedimet e fundit tre ditore në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Arifi tha se Serbia është tërhequr nga dialogu në momentin që e kanë kuptuar që pala kosovare nuk ka pasur diçka konkrete sa i përket marrëveshjes së Asociacionit.

“Kur ne nuk patëm diçka konkrete për Asociacionin, prej atij momenti kemi pasur më shumë monolog sesa dialog. Ata nuk ishin të interesuar të bisedojnë për tema të tjera”, u shpreh ai.

Arifi para anëtarëve të Komisionit bëri thirrje që në takimet tjera secila parti ta ketë përfaqësuesin e saj në ekipin për bisedime.

“Ne kemi pasur tre ditë takime, bashkë me përfaqësues të presidentit, përfaqësues të Nismës, ndërsa përfaqësuesi i Veselit nuk ishte. Kërkoj edhe nga grupet tjera parlamentare ta kenë nga një përfaqësues..”, ka thënë Arifi.