Arifi tregon se a do të shkojë në Bruksel ekipi i Qeverisë në krye me Limajn

11.09.2018 20:25:37

Qeveria e Kosovës, me tre shtator emëroi ekipin negociatorë për dialogun me Serbinë, të udhëhequr nga zëvendëskryeministër i Kosovës Fatmir Limaj.

Ky ekip ka në përbërje edhe Enver Hoxhajn, Behgjet Pacollin, Mahir Yagcilar, Avni Arifin dhe Dardan Gashin.

Ky ekip u tentua të votohet në një seancë të Kuvendit të Kosovës, në datën 4 shtator, por u bllokua nga opozita e cila nuk erdhi në seancë, duke e pamundësuar korumin.

Përkundër se për këtë emërim të Qeverisë, është shprehur optimist edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, ky ekip është i pa vlefshëm, përderisa nuk e voton Kuvendi.

Por a do të shkoj ky ekip në Bruksel, flet njëri prej anëtarëve të këtij ekipi, Avni Arifi, i cili njëherë është shef i negociatave teknike me Serbinë.

Ai ka thënë se ky ekip nuk ka pasur asnjë takim të përbashkët, dhe se është ineksistent pa votimin në Kuvend.

Arifi ka thënë se ky ekip nuk mund ta bëjë asnjë hap, dhe asnjë veprim, pa u miratuar fillimisht nga Kuvendi.“Së pari duhet të votohet në Kuvend, pastaj kur votohet nisin tjerë hapa.

Para se me u votu nga Kuvendi ky grup nuk bën asgjë. Ekipi nuk është takuar në asnjë takim të përbashkët. Ngase pa kuvend ne nuk ekzistojmë, ky ekip është vetëm një propozim, pa kuvend ne nuk ekzistojmë” ka thënë Arifi për Gazetën Blic.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, me propozimin e këtij ekipi, ka sqaruar gjithashtu se ky ekip nuk ka për qëllim që të ja marr kompetencat presidentit të vendit Hashim Thaçit, por se dialogu duhet të jetë nën monitorimin edhe të Qeverisë

“Kjo është një marrje e përgjegjësisë edhe nga Qeveria në këtë rast. Nuk mendojmë se po ia marrim punën presidentit me këtë, por megjithatë qeveria duhet t’i merr përgjegjësitë, dhe kam shkuar në nivelin më të lartë të mundshëm, zëvendëskryeministrat me qenë pjesë e delegacionit… Çdo qëndrim që ka të bëjë me mbrojtje të territorit, me mos ndryshim të kufijve, është në përputhje besoj dhe në parim të çdo subjekti politik”, ka thënë Haradinaj.