Armend Zemaj: Pandemia ende s’ka përfunduar, moskujdesi mund të sjellë regres

06.06.2020 15:03:39

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar Komunën e Vushtrrisë si dhe Shtabin emergjent komunal për menaxhimin e pandemisë

Zemaj, ishte i shoqëruar nga drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, kryeinspektorja Shëndetësore (u.d) Nora Krasniqi dhe kryeinspektori i AUVK-së, Ibrahim Tërshnajku.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe t’i respektojnë rekomandimet e IKShPK-së.

Sipas tij, pandemia në Kosovë ende nuk ka përfunduar.

“Sot jemi bashkë me njerëzit kompetentë të cilët i quajmë luftëtarët kryesorë të luftimit të pandemisë të cilët me përkushtimin dhe punën e tyre ua kanë mundësuar qytetarëve të Vushtrrisë ta kalojnë pandeminë dhe t’u kthehen ditëve normale”.

“Ajo çka është më rëndësi, ne sot kemi ardhur ta përcjellim mesazhin që pandemia në Kosovë nuk ka përfunduar. Vushtrria është e njohur për menaxhim efikas, por infektimet kanë vazhduar”.

“Moskujdesi dhe mosrespektimi i rekomandimeve IKSHP-së mund të na sjellin në regres. Mos ta humbasim sakrificën e të gjithë punonjësve të shëndetësisë”.

Kryetar i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, tha se po përballen me një situatë më të rënduar sa ai përket numrit të të prekurve me Coronavirus,  raporton Ekonomia Online.

Po sipas tij, janë testuar mbi 500 qytetarë dhe qëndrojnë në vendin e parë për teste të kryera.

“Qëllimi ynë ka qenë mbrojtja e shëndetit të qytetarëve duke u ofrua mbështetje të vazhdueshme. Me Ministrin biseduam për masat që ka ndërmarrë Komuna e Vushtrrisë. U dakorduam që të plotësohet edhe stafi”.