Arrest shtëpiak për dhjetë gratë që u kthyen nga Siria

23.04.2019 21:44:06

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër 10 grave që janë kthyer nga Siria. 

Për shkak të veprës penale Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës, nga neni 3 par.3 të ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, ligji Nr.05/1-002 dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 par. 2 i KPK-së.

Të pandehurave V.B, F.D, F.L, N.H, A.Z, V.K, H.K, L.L, S.S dhe M.A iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj për secilën veç e veç, duke filluar nga data 23.04.2019 deri me datë 23.05.2019.

Gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak kundër këtyre të pandehurave bazuar në nenin 187 par.1 nënpar.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Ekziston dyshimi i bazuar se 10 të pandehurat që nga viti 2014 e deri me datë 20.04.2019, kanë qenë në zonën e konfliktit Siri-Irak, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.