ARRESTOHET EDHE MJEKU I PËRFSHIRË NË RASTIN E TE MITURËS NË DRENAS

07.02.2019 23:02:12

Gjinekologu Fehmi Ahmeti, i përfshirë në rastin e abuzimit të së miturës nga Drenasi, është arrestuar pasditen e sotme.

Policia njofton se në konsultim me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së kanë vazhduar të ndërmarrin  veprime hetimore shtesë drejt ndriçimit të plotë të rastit.

Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore, sot është ftuar për intervistë edhe një i dyshuar tjetër për këtë rast, i treti në rastin e njëjtë, me inicialet F.A, i cili nuk është zyrtar policor.

Pas intervistimit të këtij të dyshuari, të njëjtit më vendim të prokurorit i është caktuar sot në orët e mbrëmjes masa e ndalimit për 48 orë.

Arrestimi i të njëjtit nga hetuesit e Inspektoratit Policor është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “ndërprerje e palejuar e shtatzënisë”, e paraparë në nenin 184 të Kodit Penal.

Me kërkesë të Inspektoratit Policor, zyrtarë nga Inspektorati Shëndetësor kanë kryer sot edhe një inspektim specifik në një ordinancë private mjekësore, e cila pas këtij inspektimi është mbyllur për kohë të pacaktuar.

Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë deri në ndriçimin e plotë të rastit në koordinim me Prokurorinë kompetente.