Arrestohet Jakup Krasniqi, niset për në Hagë

04.11.2020 16:53:39

Pas nëntë orësh bastisje nga Gjykata Speciale, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi është futur në veturën e policisë së EULEX-it.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar avokati i Krasniqit, Valon Hasani. Ai shtoi se aktakuza i është konfirmuar dhe Krasniqi është nisur për në Hagë.

Bastisja në shtëpinë e tij ka filluar qysh në 05:30, e po ashtu bastisje ka pasur edhe në shtëpinë e Krasniqit në Negroc të Drenasit.

Një bastisje e tillë është quajtur e panevojshme dhe traumatike për familjen Krasniqi.

Ndryshe, bastisjet në shtëpitë e Krasniqit i ka konfirmuar edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).