Arrestohet Kastriot Shala, i shumëkërkuari nga policia për vjedhje

09.05.2019 17:46:17

Policia e Kosovës ka arrestuar të shumë kërkuarin, Kastriot Shala.

Lajmin e ka bërë të ditur Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës.

“Mund të konfirmojmë se pas hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale të njësiteve policore, rreth orës 15 e 30 në Hajvali është arrestuar i dyshuari K.Sh. i cili ka qenë në arrati dhe në kërkim policor”, ka thënë Kelani.

Po ashtu Kelani ka treguar se Kastriot Shala, gjendej në një veturë të tipit Golf 7.

Pasi është arrestuar, policia ka gjetur një armë zjarri në brezin e të dyshuarit.

Përveç  Shalës janë arrestuar edhe dy persona me të cilët ai ishte bashkë në veturë.

“I dyshuari i cili gjendej me një veturë të tipit Golf 7, është arritur të ndalohet dhe arrestohet nga njësitet policore. Vlen të potencohet se i dyshuari ka qenë në posedim të një arme me një karikator në brez si dhe një karikator e kishte brenda ne veturë. Se bashku me të dyshuarin kanë qenë edhe dy persona, një femër dhe një mashkull të cilët po ashtu janë shoqëruar në stacion policor. Të gjitha njësitet policore janë angazhuar për të ndërmarrë të gjitha veprimet e mëtutjeshme policore”, ka shtuar Kelani.

Kujtojmë se Kastriot Shala së bashku me Ridvan Ademin e Leutrim Latfin  dyshohen të jenë akterët kryesorë në një numër të madh të grabitjeve që ndodhën në territorin e Kosovës.

Ndonëse në kërkim, ata gjenin kohë edhe të tallen me Policinë e Kosovës përmes disa videove të postuara në Facebook.