Arrestohet oficeri i policisë në Tiranë, ishte dënuar në Itali

28.09.2017 12:17:06

Oficeri i policisë në Tiranë Dritan Xhindoli është arrestuar , pasi ishte në kërkim.
Sipas policisë Dritan Xhindoli është dënuar nga gjykata e Bolonjës në Itali me 10 vite burg nën akuzën për “vjedhje dhe falsifikim dokumentesh”.

Mësohet se së fundmi Xhindoli ka mbajtur postin e specialistit në Drejtorinë e Policisë Tiranë. “BalaknWeb” mëson se e urdhri për ndalimin e oficerit ka ardhur që në vitin 2014, por është mbajtur i fshehtë nga SHKB.

Në vitin kur drejtësia italiane e dënoi me 10 vjet burg, Dritan Xhindoli nisi ngritjet në detyrë, duke u emëruar fillimisht shef i Seksionit të Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Më herët ai kishte ushtruar detyra të ndryshme, si oficer i Policisë Gjyqësore, në disa sektorë të rëndësishëm, kryesisht në Policinë e Tiranës.

Pasi qëndroi në këtë detyrë për një kohë të gjatë, Xhindoli u emërua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë si specialist në Departamentin e Krimit të Organizuar.

Por në urdhrin e autoriteteve italiane, ai kishte emrin Artan Xhindoli dhe kjo solli një zvarritje të vendimit.

Por krahasimi i gjurmëve të gishtave bëri që ai të identifikohej plotësisht, duke u provuar se Artan Xhindoli dhe Dritan Xhindoli ishin i njëjti person.