Arrestohet polici që u sulmua nga vëllau i Rexhep Selimit

09.03.2018 15:38:50
Hetuesit e Inspektoriatit Policor të Kosovës kanë arrestuar sot policin që ishte sulmuar para pak ditësh nga vëllau i deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimit.

Personi në fjalë, Ramadan Selimi, ditë më parë ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për mospërfillje të urdhërave të policisë dhe për sulm ndaj zyrtarit policor, raporton lajmi.net.

Ky lajm është konfirmuar edhe nga vet IPK-ja përmes një komunikate ku bëhet e ditur që pas zbatimit të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është bastisur një lokacion në Lagjen e Spitalit në Prishtinë ku janë konfiskur armë të ndryshme që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme.

“Sot  hetuesit e IPK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe kanë bastisur një lokacion në Lagjen e Spitalit në Prishtinë  ku janë  konfiskuar një pistolete me karikator, një armë me mbishkrimin THOMSON, dy fishekë gjuetie, gjashtë fishek të ndryshëm (dyshohet të jenë pistolete), 7 thika të modeleve të ndryshme, shufër metalike, boks metalik etj. që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”

Sipas IPK-së me autorizim të prokurorit dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, është realizuar  urdhëresa për bastisje në Prishtinë me dyshimin se  zyrtari  policor  A.I. , hetues në Stacionin Policor – Jugu (Drejtoria Rajonale e Prishtinës) ka kryer veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë” dhe “ Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Me vendim të prokurorit të shtetit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar të dyshuarin dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.

IPK ka rekomanduar edhe masën e suspendimit të zyrtarit policor si masë administrative