Arti? Të çlirosh veten, nga muret e bardha

06.05.2017 09:42:54

Me artistin Heldi Pema

Ai mund të ndërtojë gjithçka me një pikturë, duke e parë atë si formën më të mirë përmes së cilës mund ti japë kuptim situatave. I formuar me disa disiplina, si skulptura apo video-art, Heldi Pema është nga ata artistë bashkëkohorë që kërkon ta mbajë fort artin të lidhur më një nga format më të mira të tij, siç është telajo. Nëse arti bashkëkohor është një ikje nga telajo dhe ngjyrat, Heldi e vendos këtë lloj disipline arti pikërisht në ngjyra. Për të pikturat janë një histori, dhe nëse ndalesh ti vështrosh me ngadalë secilën prej tyre, kupton se tregimtari është aty.

Si e kujton lidhjen tënde me pikturën?

Unë që fëmijë jam marrë me pikturën. Im atë ishte inxhinier, dhe vizatimet e tij kishin gjithnjë tërheqëse të cilën përpiqesha ta kuptoja. Ishte një afrim drejt botës së vizatimit, që do të hapte tek unë botë të tjera që do ti njihja përmes ngjyrave. E kështu nga një imitim I fëmijërisë zbulon një talent tek vetja, të cilin e shpesh më ndryshe. Më pas rruga drejt artit ka qenë e natyrshme. Përpara se të hyja në Lice, unë pikturoja, dhe ndodhi që hyra në një degë tjetër që ishte skulptura, dhe materia ndryshoi. Nuk kam pasur në Lice edukim për pikturën, isha më shumë për skulpturën që kuptohet i përmban të dyja disiplinat. Ndërsa në Institut ka qenë një situatë tjetër ku jam marrë më tepër me artin bashkëkohor.

Si ka ndryshuar piktura në kohë tek ty?

Piktura është një zhanër për mua, një formë shprehje sikurse skulptura, instalacioni, video e mediume të tjera bashkëkohore. Në fakt pikturën unë kam dashur ta trajtoj në format e saja më të pazakonta edhe për faktin sepse nuk kam marrë asnjëherë një formim akademik prej saj, por ka qenë diçka që më ka shoqëruar në krijimtarine time. Shumë punë janë ndërhyrje mbi revista, duke sjellë një tjetër trajtë pikture ose një kendvështrim më të pazakontë të saj. Në fakt ajo është në evolucion dhe tendencat janë për një pikturë konceptuale ku subjekti është më I rëndësishëm se teknika e përdorur.

Cilët kanë qenë piktorët që kanë ndikuar në formimin tënd. Sa i rëndësishëm është modeli në një rrugëtim?

Në fillim kanë qenë piktorë  të Rilindjes si Jeronimo Bosch, surrealizmi si Salvadoro Dali dhe metafizikës si De Chirico që më kanë dhënë spunto për ide dhe subjekte për pikturat e para. Më pas shumë zhanre të tjera kanë zënë vend në karrierë, duke e bërë pikturën një ndër format ekspresive, por jo më të rëndësishmen.

Pikturën e sheh si gjendje, apo thjesht si një angazhim?

Pikturën e shoh si një mënyrë të lehtë do ta quaja, për të shprehur një koncept apo për të ndërtuar një projekt që realizohet në këtë zhanër apo teknike, paçka se unë nuk e quaj veten një piktor apo skulptor apo video maker, por thjesht një artist që sipas nevojave të projektit zgjedh mediumin e caktuar. Pra nuk e shoh vetem si gjendje por si një zgjedhje  në vartesi të kohës.

A mund të flasim për pikturë të angazhuar, flas për pikturën që është zhvilluar pas viteve 90-të?

Unë jam munduar ta thjeshtezoj pikturën duke e bërë më konceptuale duke i dhënë një dimension tjetër përtej tradicionales.

Si është të jesh piktor në Tiranë?

Tirana është një vend I vështirë për shumë artistë pasi nuk eksziston një skenë e mirëfilltë që të mundësojë një karrierë dhe shumë nga eventet aristike janë të organizuara nga vetë artistët që në pamundësi të një jehone mediatike, mbeten brenda një grupi të vogël audience dhe spektatori. Përsa I përket mundësisë për të jetuar me art, kjo është diçka idividuale, që shkon përtej aftësive krijuese, pra menaxhimin e vetvetes në merkaton e artit.

Sa të rëndësishme janë hapësirat. Si funksionin ti si artist në raport me hapësirat?

Mua me tërheqin hapësirat jokonvencionale paçka se kam ekspozuar në shumë galeri këtu dhe jashtë vendit, por mendoj se arti ka nevojë të jetë I pranishëm ndoshta dhe në vendet më të papritura, duke çliruar veten nga muret e bardha dhe duke qënë me afër publikut, I cili ka nevojë të edukohet me praninë e tij pikërisht në vende të pazakonta.

Një element interesant në punët e tua është dhe trupi I njeriut, mënyra sesi e zhvendos atë brenda ngjyrave?

Elementi njerëzor është shpesh I pranishëm në punët e mija. Në fakt e gjejmë shpesh të shpërfytyruar, por mendoj se në këtë mënyrë unë i afrohem më shumë reales, sepse besoj që ajo që perceptojmë nuk është ajo që jetojmë.

a.b