Do të përformojnë: Lorika Ismajli, Flaka Goranci, Valentina Dubovci, Visar Kasa, Ferdi Fanaj dhe Mennan Berveniku. Do të shfaqet edhe filmi i metrazhit të shkurtër “The Remigrant” nga artisti shqiptar i njohur në Austri, Astrit Alihajdaraj
Aktivitete të ndryshme artistike në Kosovë dhe jashtë saj vazhdojnë të organizohen me qëllim grumbullimin e mjeteve financiare për t`i dalë në ndihmë regjisorit Bekim Lumi i cili vuan tash e dy vite nga një sëmundje e rëndë.
Në vazhdën e këtyre organizimeve, edhe disa nga artistët e njohur shqiptarë të cilët jetojnë dhe veprojnë në Vjenë të Austrisë janë bashkuar që përmes një mbrëmjeje muzikore të kontribuojnë për shërimin e regjisorit dhe profesorit Bekim Lumi.
Në këtë mbrëmje artistike do të përformojnë: Lorika Ismajli, Flaka Goranci, Valentina Dubovci, Visar Kasa, Ferdi Fanaj dhe Mennan Berveniku, ndërkohë do të shfaqet edhe filmi i metrazhit të shkurtër “The Remigrant” nga artisti shqiptar i njohur në Austri, Astrit Alihajdaraj.
Sipas njoftimit, kjo mbrëmje artistike do të mbahet në Fünfhausgasse 5 në Vjenë të Austrisë duke filluar nga ora 19:00.
Të ardhurat nga kjo mbrëmje do të dërgohen për shërimin e Bekimit.
“Ju të gjithë që nuk mund të jeni pjesë, mund të vazhdoni të kontribuoni edhe në www.gofundme.com/perbekimin, thuhet në njoftim.
Regjisori Lumi prej dy vitesh është duke u ballafaquar me sëmundjen e rëndë. Deri më tash ka financuar në mënyrë vetanake, por shpenzimet e shërimit jashtë vendit përbëjnë një shumë të madhe parash, andaj ai tashme ka nevojë për ndihmën e të gjithëve.