As pas 3 viteve nuk përfundohet Spitali i Pediatrisë

14.03.2019 15:31:23
Në hapësirat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, në mars të viti 2016 ishte vënë gurthemeli për ndërtimin e Spitalit të ri të Pediatrisë dhe Kirurgjisë së fëmijëve nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Megjithëse kanë kaluar 3 vite punimet për ndërtimin e këtij spitali nuk kanë përfunduar ende.

E kjo klinikë nuk pritet të jetë funksionale të paktën deri në vitin 2020, kjo për faktin se ky spital, tashmë është vetëm në fazën e dytë të punimeve, ani pse ishte paraparë të kryhej në vitin 2018.

E lidhur me këtë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se kjo klinikë do të përfundohet deri në vitin 2020, punimet e të cilës nisën në gushtë të viti 2018.

Këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili, Albatrit Matoshi, ka thënë për lajmi.net se Kosova do të ketë një spital modern, që do t’i integrojë të gjitha shërbimet për fëmijët.

“Pas angazhimit të madh të ministrit Ismaili në fillim të vitit të kaluar, u është dhënë fund zvarritjeve disa vjeçare për ndërtimin e këtij spitali shumë të nevojshëm. Pas realizimit të këtij projekti, i cili është paraparë që të ndërtohet brenda 22 muajve (ka nisur në gusht të vitit të kaluar), shteti i Kosovës do të ketë një spital modern që do t’i integrojë të gjitha shërbimet shëndetësore për fëmijë brenda një institucioni”, ka thënë Matoshi.

Sipas tij, në spitalin pediatrik dhe të kirurgjisë së fëmijëve do të ofrohen shërbimet pediatrike, shërbimet emergjente si dhe shërbime të tjera.

“Objekti do jetë me ura lidhëse me klinika, projekt i çmueshëm për fëmijët tanë, me kualitet të lartë dhe me pajisje  moderne. Në spitalin pediatrik dhe të kirurgjisë së fëmijëve  do të ofrohen shërbimet pediatrike, shërbimet e kirurgjisë pediatrike, hemato – onkologjia e fëmijëve, diagnostika, shërbimet emergjente si dhe shërbime të tjera. Spitalit Pediatrik Kirurgjik është projekt që do të kushtojë rreth 20 milionë euro, donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe i ndarë për Republikën e Kosovës më 2015, ndërsa simbolikisht, gurthemeli i spitalit ishte vendosur në mars 2016”, ka thënë tutje Matoshi.

Ky është një projekt, donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, në vlerë prej 20 milion eurove.

Sipas projektit, spitali do të ketë tri kate me një sipërfaqe të përgjithshme prej 10 mijë metrash katrorë hapësirë dhe 100 shtretër.

Spitali do të ofrojë shërbime të ndryshme të diagnostikimit dhe trajtimit të fëmijëve.