As Ramushi nuk është ftuar nga Trump, as Hashimi nuk ka dhënë urdhër për ndalimin e trenit!

17.01.2017 20:19:27

Nga Rexhep Kastrati

Ka kohë që opinioni ynë është bombarduar nga një propagandë lidhur me ftesën që gjoja paska marr Ramushi nga Trump për inaugurimin e tij si president. Portale të ndryshme dhe medie gati çdo ditë bënin garë se kush më shumë po thotë se Ramushi ka marrë ftesë nga Trump, dhe është i vetmi politikan i Kosovës që është i ftuar. Pati të tillë që arrestimin e Ramushit e lidhën me ftesën që gjoja Trump ia paska bërë për të marrë pjesë në inaugurimin e tij si president. Ishte kjo kohë kur Ramushi heroizohej aq shumë sa që pritej kur të dalë dikush të kërkojë që në vend të Skënderbeut, mbi kali ta vendosnin Ramushin. Edhe pse kjo gjë nuk u kërkua tekstualisht, në një mënyrë tjetër u shpreh nga Pal Lekaj, i cili e lidhi arrestimin e Ramushit me, siç tha ai, faktin se është i vetmi që mund t’ia ndalë turrin Serbisë, e që i bie Skënderbe e shkuar Skënderbeut. Pra, u bënë dy rrena: rrena se Ramushin e kanë arrestuar për shkak të ftesës nga Trump për të marrë pjesë në inaugurimin e tij si president, dhe rrena tjetër që e lidhte Ramushin me mundësinë unike që paska veç ai për t’ia ndalë turrin Serbisë. Mirëpo, derisa lidhur me rrenën e parë kishte iluzione se mund të ishte e vërtetë, për rrenën e dytë, plasën shakatë dhe ironitë me të parën. Lajmet, ndërkaq, nga SHBA se në inaugurimin e Trump si president nuk është ftuar askush nga Kosova dhe Shqipëria, tashmë ka nxjerrë për faqe të zezë vetë Ramushin dhe gjithë veglat e tij politike dhe medietike që për një metelik shesin fytyrë, karakter e profesionalizëm. Pra, tash doli rrenë ftesa, doli rrenë arsyeja e parë e arrestimit të Ramushit, por edhe arsyeja e dytë e arrestimit. Kështu, gjithë çështja, pra edhe e arrestimit, edhe e ftesës, doli thjesht një rrenë, dhe tash po del se arsyeja e arrestimit të Ramushit ka qenë ajo që  ekam thënë vazhdimisht: heroizimi i Ramushit si përfaqësues i parapolitikës, i arrogancës dhe i anarkisë. Dhe ky heroizim, me qëllim të heroizimit, të legjitimimit dhe të afirmimit të formave tribale të veprimit politik në Kosovë. Dhe këtë e konfirmoi Pali, i cili shpërfaqi katërcipërisht mendësi tribale, duke e lidhur ndaljen e turrit Serbisë me personin Ramush Haradinaj,  e jo me institucionet e shtetit dhe me mbështetje ndërkombëtare.

Rrena e dytë është e Hashimit, i cili u ngut që të vinte në funksion dy personazhe medietike: Beratin dhe Batonin për të përhapur dezinformatën se urdhërin për ndalimin e trenit e kishte dhënë Hashimi. “Duke vërejtur neglizhencën e autoriteteve unë sot kam ftuar ne zyrën time, duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë ne kuadër te kompetencave te mija për te ruajtur sovranitetin territorial dhe integritetin territorial, kam ftuar ministrin e brendshëm dhe drejtorin e policisë. Kam kërkuar prej tyre qe te ndalojnë hyrja e trenit në Kosovë menjëherë dhe në me çdo çmim. Kam besim te plote se autoritet do t’i kryejnë përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese. Institucionet duhet t’i kryejnë këto përgjegjësi. Mjaft është mjafe. Do te ketë zero tolerancë ndaj Beogradit  ne cenimin e integritetit territorial te Kosovës”, ka thënë Presidenti Thaçi për gazetën Express. Kështu ka cituar KlanKosova në orën 18.03 të ditës së shtunë. Ndërkohë që thuhej se treni pritej të futej në Kosovë, rreth orës 19.30. Pra, njoftimi dhënë vetëm rreth një orë e gjysëm para se të afrohej treni në Kosovë. Dhe kjo kohë është kohë shumë më e vonë sesa koha kur treni ishte ndalur në Rashkë dhe nuk do të vazhdonte drejt Kosovës. Pra, Berati është angazhuar të citonte Hashim Thaçin se paskësh dhënë urdhër për ndalimin e trenit serb,  pasi që treni veç mund të jetë ndalë në Rashkë. Në anën tjetër, një letër që fokusi.org ka siguruar dhe ka bërë publike, është letër e ministrit Zharku, i cili i është drejtuar drejtorit të Policisë së Kosovës që të ndihmohej ARH dhe INFRAKOS që të zbatojnë ligjin lidhur me trenin serb. Pra, kjo letër nuk është bërë nga ministri i Brendshëm, por nga ministri i Infrastrukturës, kurse Hashim Thaçi thotë se ka ftuar ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Policisë së Kosovës. Përveç kësaj, është edhe një deklaratë e zëvendësdrejtorit të Policisë së rajonit të Mitrovicës, Besim Hoti, i cili gjatë orëve të drekës ka thënë se trenin duhet t andalë policia kufitare, kurse ne do të shkojmë në ndihmë nëse na kërkohet. Dhe kjo që ka thënë Besim Hoti është në përputhje me kërkesën e ministrit Zharku në letrën dërguar drejtorit të Policisë së Kosovës. Dhe e treta, është absurde, është  e pamundur që një operacion si ai për trenin të mund të planifikohet, të organizohet dhe të zbatohet brenda një ore apo dy para se të vinte treni, sepse kjo çështje nuk është veç punë e një dikasteri, as e një agjensie shtetërore, por është një çështje ndërministrore.  Pra, për të planifikuar, për të organizuar e zbatuar një operacion i tillë kërkohet kohë më e gjatë se dy-tre orë.  Kur t’i shtohet kësaj ndjeshmëria e çështjes, për çka do të duhej edhe një bashkërendim me aleatët tanë strategjikë dhe me bashkësinë ndërkombëtare, atëherë bëhet edhe më e pamundur që një urdhër për ndalimin e trenit të jetë dhënë në orët e pasditës, pra vetëm një orë, dy apo tri para se të vinte treni.

Natyrisht, përveç këtyre, duhet thënë pse Hashim Thaçi si president i vendit iu drejtua një portali të një ish-kuvendari të tij, dhe mik i deklaruar i Kadri Veselit, e jo RTK-së, si institucion publik që financohet nga taksapaguesit. Pastaj, pse jehonë këtij lajmi i bënë vetëm mediet serbe dhe mediet franceze, e jo edhe ndonjë medie tjetër? Ajo që mund të ketë ndodhur është njoftimi i ministrit Hyseni dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Maxhuni me masat që janë marrë për ndalimin e trenit. Pra, edhe po qe se ka ndodhur një takim i tillë, ai mund të ketë qenë informativ,  e jo edhe një takim në të cilin janë dhënë urdhëra.