Askush nuk do ta besonte se do u merrte jetën, qeshën kur u tha: A e dini se ju vras?

05.10.2016 12:19:01

Miklovan Parubi u arrestua nga policia mesditën e djeshme, pasi kreu një masakër të vërtetë ndaj bashkëfshatarëve me të cilët po pinte deri pak momente para ngjarjes.

Ai nuk ka dhënë asnjë dëshmi konkrete gjatë mbrëmjes së djeshme. E vetmja që gjë që citon, thonë burimet, është se viktimat ia kishin bërë për borxh.

“Ma bënë borxh. Më kanë ngacmuar dhe nuk i duroja dot”, është shprehur ai para hetuesve që e kanë marrë në pyetje në policinë e Shkodrës.

Gjithashtu ai ka thënë se ka patur qëllim të vrasë dy vëllezërit Gacalin dhe Vinçens Kopshtin si dhe Ndok Markun.

Ndërsa pronari i lokalit, Arjet Saiti është vrarë në tentativë për ta ndaluar agresorin.

Bazuar në dëshmitë e të mbijetuarve dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, policia ka zbardhur skenën e krimit.

Autori ka qenë në lokal mbrëmjen e së hënës, duke zhvilluar një lojë pokeri me shoqërinë e tij.

Në një moment, në lojë e sipër ai është çuar dhe ndërsa ka bërë shenjë me duar i irrituar, është larguar nga lokali dhe ka marrë një armë automatike.

“A e dini se ju vras?!”, i është drejtuar ai tavolinës ku ndodheshin bashkëfshatarët e tij. Të pranishmit mësohet se kanë qeshur, pasi nuk e mendonin se çfarë do të ndodhte, por edhe për faktin se shpeshherë e kishin parë autorin të lëvizte i armatosur.

Njëri prej tyre, dyshohet Gacalin Kopshti, i është drejtuar me fjalët: “Çfarë të kemi bërë që do të na vrasësh?”, por pa e mbyllur fjalinë, autori e ka qëlluar, duke i shkaktuar vdekjen.