Astrit Haraqija për vizitën e Haradinajt në familjen Rugova: Ditë të mira do t’i vijnë Kosovës!

21.07.2017 11:50:25

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj ka qëndruar sot në vizitë tek familja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Ndonëse u tha se kjo vizitë e Haradinajt në familjen Rugova ka të bëjë me nënshkrimin e një marrëveshje me deputeten e zgjedhur nga LDK-ja, Teuta Rugova, për një gjë të tillë Haradinaj nuk është prononcuar para medieve, duke thënë se kjo ishte një vizitë historike për shkak të rëndësisë që ka kjo familje.

Astrit Haraqija nga LDK i cili ishte prezent në këtë vizitë të Haradinajt në familjen Rugova, nuk ka dhënë shumë detaje rreth kësaj vizite.

I pyetur se a ka pasur nënshkrim të ndonjë marrëveshje në mes të Teuta Rugovës dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj për mbështetje për formimin e institucioneve në Kosovë, Haraqija është përgjigjur shkurt “Po shpresojmë që ditë të mira do t’i vijnë Kosovës (Dardanisë)”.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate ka bërë të ditur se Ramush Haradinaj tanimë ka marrë edhe mbështetjen e familjes Rugova për të qenë kryeministër i ardhshëm i Kosovës.