Atentati ndaj prokurorit të Vlorës, reagon kryeprokurori Çela: Këto akte synojnë trembjen tonë

21.12.2019 17:09:05

Makina e prokurorit të Vlorës, Albert Kuliçi u hodh në erë mëngjesin e sotëm nga një sasi tritoli. Policia njoftoi se ngjarja kishte ndodhur në orën 6.45 në lagjen “29 Nëntori” ndërsa bëri me dije se bashkë me makinën e prokurorit ishte dëmtuar edhe mjeti i një qytetari që ndodhej pranë.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryeprokurori Olsian Çela. Ai shprehet i vendosur se autorët e kësaj ngjarje të rëndë do të vihen para drejtësisë, duke shtuar se është i nevojshëm angazhimi maksimal i të gjithë organeve ligjzbatuese

“Aktet e dhunës ndaj magjistratëve, qartësisht synojnë pengimin e funksionimit normal të sistemit të drejtësisë dhe cenojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike. Për këto arsye, është i nevojshëm angazhimi maksimal i të gjithë organeve ligjzbatuese për vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Prokurori i Përgjithshëm inkurajon të gjithë magjistratët të vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi dhe përkushtim detyrat e tyre kushtetuese dhe i siguron ata se do të kenë mbështetjen e tij maksimale. Është gjithashtu mjaft e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë në krijimin e një klime normaliteti dhe mbështetjeje ndaj institucioneve të drejtësisë, pasi kjo do të ndihmonte në mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë.