Atentati në Mirditë/ Identifikohen autorët, policia nis operacionin nëpër male

23.11.2019 14:01:33

Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të plagosjes së shtetasit Frederik Leka, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur “Kroji Shtogut”  Mirditë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shtetasit A.N., A.N., V.P. dhe A.P.,banues në Lezhë dhe Mirditë, kanë goditur me sende të forta dhe plagosur me armë zjarri shtetasin Frederik Leka.

Policia e Qarkut Lezhë  vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve  të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Për të bërë të mundur arrestimin e tyre, Policia ka nisur një operacion në një zonë të thellë malore, në të cilën dyshohet se janë fshehur të kërkuarit, në pritje të largimit jashtë vendit.

Autorët e dyshuar, mund të kalojnë ilegalisht kufirin, pasi emri i tyre tashmë është me vijë të kuqe në sistemin Tims dhe nuk ka asnjë mundësi lëvizjeje përmes pikave kufitare.