AUV lejon hapjen e tregjeve të kafshëve vetëm për shitjen e kurbanëve

10.09.2016 14:39:00

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë pas sëmundjes Gungore të gjedheve, ditë më parë ka marrë vendim për mbylljen e tregjeve, ku tregtohen gjedhet, megjithatë, këto tri ditë AUV do të lejojë hapjen e tyre për të shitur delet të cilat theren për festën e Kurban Bajramit.

Në tregje do të lejohet të bëhet vetëm tregtimi, ndërsa, therja e kurbanëve do të bëhet në thertoret e lejuara nga AUV.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci, tha për KosovaPress se lejohet përdorimi i tregjeve për tregtim të deleve, qengjave, pasi që sëmundja e Gungore nuk i prek këtë kategori të kafshëve.

“Sa i përket përdorimit të tregjeve në këtë rast edhe hapjes së tregjeve dhe tregtimit të ruminantëve të vegjël, sidomos në prag të festës së Bajramit, dua të përmendi që lejohet përdorimi apo edhe tregtimi i ruminantëve të vegjël, në këtë rast edhe të qengjave, deleve, dhe kështu më radhë, pra, kurban për Bajram. Gjithënjë duhet me pas parasysh që nuk i prek sëmundja këto specie dhe këtë kategori të kafshëve”, tha ai.

Megjithatë, edhe pse kanë mbetur edhe dy ditë nga festa e Kurban Bajramit, tregu i kafshëve në Komunë e Prishtinës, më saktësisht në Vranjevc vazhdon të jetë i mbyllur.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri i tha KosovaPress-it se ata do të zbatojnë vendimin të cilin e ka marrë AUV.

“Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës për shkak të sëmundjes së gjedheve ka marrë vendim që t’i mbyll tregjet e kafshëve, vendim të cilin ne duhet ta zbatojmë”, tha Tahiri.

Ndërsa, therja e deleve që do bëhet vetëm në thertore, dhe nuk mund të bëhen pa kontrollin e veterinarit.

“Therjet të bëhen nëpër thertore të aprovuara nga ana e Agjencisë të Ushqimit dhe Veterinarisë, thertore ku janë vendosur edhe inspektorët të cilët para se të gjithash kryejnë masat paraprake të kontrollit dhe në fund lejojnë që të realizohet therja apo të mos realizohet therja për arsye se në masë të veprimeve të tjera që duhen të ndërmerren është inspektori ai i cili gjatë kontrollit vlerëson qoftë për gjendjen shëndetësore”, tha Gjinovci.

Se a do të ketë kontrolle nëpër tregje, Gjinovci tha se kjo është në kompetencat e komunave, pasi që është e pamundur që AUV të kontrollojë tregjet, e që për këtë ata kanë kërkuar nga autoritetet komunale që të ndërmarrin veprimet e nevojshme.