Avokati i Besim Beqajt: Procesi në rastin Pronto dëshmoi se prokuroria është e kapur

03.01.2020 11:55:36

Të akuzuarit e aferës “Pronto” janë liruar nga akuzat, pasi nuk është provuar se kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar.

Avokati Besnik Berisha që mbron ish-ministrin Besim Beqaj ka thënë se ky proces ka dëshmuar që Prokuroria është e ngulfatur.

Pas shpalljes se aktgjykimit, para gazetareve Berisha ka deklaruar se hetimi dhe aktakuza kanë qenë selektive dhe se personat që kanë qenë përgjegjës për punësime Prokuroria nuk ka pasur guxim t’i intervistojë si dëshmitarë e lërë më si të dyshuar.

“Ishte një epilog i paralajmëruar dhe një gjykim që filloj si rezultat e një presioni publik dhe u zhvillua nga një prokurori e dështuar. Në qoftë se Gjykata nuk e arsyeton gjykimin mundësitë janë për rigjykim, por kujtoj që kushdo gjykatë qe ka interesin publik s’besoj se nuk do të luaj pingpong këtë lëndë sepse nga dita kur është publikuar aktakuza edhe këta vet e kanë ditë se janë ngutur dhe kanë bë ndjekje selektive dhe epilogu mund të vonojë, por prapë do të jetë i njëjti”, tha ai.

“Nocioni “Pronto” nuk ka qenë i përdorur nga asnjëri nga këta që ishin pjesë e gjykimit njëkohësisht diskutimet tjera qe ishin lidhur me eprorët e asaj kohë të Kuvendit. Prokuroria s’ka pasë guxim as si dëshmitar me i ftu dhe kjo prokurori mund të quhet e dështuar si shumë raste tjera”, tha ai.