Avramopoulos: Shqipëria meriton nisjen e negociatave, kreu reformat e nevojshme

16.10.2019 21:14:30

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë kryer reformat e nevojshme për hapjen e negociatave të pranimit në BE.

I pyetur mbi vendimin e Këshillit, eurokomisioneri për Migracionin, Dimitris Avramopoulos, rikujtoi sot gjatë një konference për shtyp, qëndrimin shumë të qartë të Komisionit Evropian, sipas të cilit Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë që të nisin negociatat e pranimit me BE-në.

Si një person që e njeh shumë mirë realitetin e Ballkanit Perëndimor, komisioneri grek bëri gjithashtu edhe një koment politik: “Le të tregohemi shumë të kujdesshëm me Ballkanin. Mos e lejoni Ballkanin të rikanalizohet, të rikthehet në gjendjen e tij të mëparshme”.