Bahrein, Vettel “leksion” për Hamilton, Bottas i treti

16.04.2017 18:35:09

Sebastian Vettel-Ferrari rikthehen sërish te fitorja në garën e tretë sezonale të Formula 1. Gjermani dhe makina italiane dhuruan një paraqitje spektakolare në shkretëtirën e Shakhirit për Çmimin e Madh të Bahreinit duke shfrytëzuar në maksimum të gjitha avantazhet ndaj Mercedes dhe Leëis Hamilton që u detyrua ta mbyllte garën në vendin e dytë pas krahëve të rivalit të tij kryesor. Shkalla më e ulët e podiumit për pilotin tjetër të Mercedes, Valterri Bottas, ndërsa KImi Raikkonen nuk arriti sërish të arrinte podiumin me një vend të katërt që lë pas shumë zhgënjim për finlandezin.

Red Bull në krahun tjetër duhet të kënaqet me vendin e pestë të Daniel Ricciardos, ndërsa Massa e Perez arrijnë të dhurojnë paraqitje pozitive me vendin e 6 dhe të 7.  Gara nisi menjëherë në sulm për Vettel që i rrëmbeu pozicionin e dytë Hamilton por 9 xhio nga fillimi gjermani hyri në bokse, një strategji që rezultoi fituese vetëm pak momente më vonë kur në pistë hyri makina e sigurisë dhe skuadra Mercedes u detyrua të thirrte në bokse dy pilotët e saj të cilët i ndezën dritën jeshile rivalit të Ferrarit. Në xhiron e 34 sërish Vettel në bokse për një tjetër ndalesë, 4 herë kampioni i botës doli me gomat super të buta duke përfituar sekonda të vlefshme ndaj Hamilton që humbi terren pasi në ndalesën e fundit doli në pistë i treti pas Bottas.

Finlandezi e uli ndjeshëm ritmin për t’i krijuar rrugë të lirë por as kjo nuk i mjaftoi britanikut që e mbylli garën në vendin e dytë, i pafuqishëm për t’i bërë ballë Vettel edhe pse ka në dispozicion një makinë më të shpejtë dhe këtë e tregoi në provat zyrtare. Sukses i merituar për gjermanin që e çon në 2 numrin e sukseseve sezonale dhe 7 diferencën e pikëve me Hamilton. Në datën 30 prill në Socchi, Formula 1 lë takim me garën e 4 sezonale për Çmimin e Madh të Rusisë. /supersport.al/