Bajrami: Ka deputet të pozitës që përkrahin mocionin, por që nuk janë deklaruar publikisht

14.04.2017 09:24:37
Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës i iniciuar nga kreu i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, përveç deputetëve opozitarë dhe disa të pavarur, po mbështet edhe nga deputetë të partive në pushtet. Madje të tillë që e mbështesin ka më shumë se ata që janë deklaruar publikisht.

Valdete Bajrami, shefe e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, ka thënë të premten për lajmi.net se mocioni për rrëzimin e Qeverisë ka përkrahje edhe nga deputet të shumicës por, që nuk janë deklaruar publikisht.

“Kjo iniciative është marr nga z.Limaj dhe është mbështetur nga partitë opozitare dhe presim që të gjithë deputetët që veç i kanë shprehë qëndrimet e tyre në lidhje me mosfunskionimin , dështimin edhe të qeverisë e mbi të gjitha mosfunksionimin e parlamentit t’i thënë po mocionit”.

“Disa nga deputetët e pozitës tash më e kanë dhënë qëndrimin e tyre sa i përket përkrahjes së mocionit, po ashtu ka edhe disa prej tyre që nuk janë deklaruar publikisht por që na përkrahin”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka shprehur besimin që numri i deputetëve që do të përkrahin këtë nismë do të rritet.

Bajrami ka përmendur disa arsye të dështimit të kësaj qeverie, e cila sipas saj, duhet të bie, e të cilat janë: Marrëveshjet e dëmshme Asociacioni dhe Demarkacioni,Mosfunsionimi i qeverisë dhe mosfunksionimi i Kuvendit; Mos liberalizimi i Vizave; Largimi i qytetarëve nga Kosova; Rritje e papunësisë; Degradimi në arsim; Shkatërrimi i sistemit të shëndetësisë; Kapja e sistemit të drejtësisë; Shkalla e lartë e varfërisë; Mos zhvillimi ekonomik; Mos luftimi serioz i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Javën e kaluar kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka propozuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa.

Kjo nismë është përkrahur nga dy partitë tjera opozitare, Vetëvendosje e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe disa deputet  të PDK-së dhe të pavarur.

Tashmë ka filluar edhe mbledhja e nënshkrimeve për të thirrur seancën për mosbesimin ndaj Qeverisë, ku nevojiten 40 nënshkrime.

Ndërsa, për ta kaluar mocioni duhet mbi 61 vota.