Ballkani, rajon për rekrutim të xhihadistëve në Evropë

27.09.2016 15:15:18

Ministria austriake e Mbrojtjes paralajmëron se Ballkani Perëndimor paraqet rajon për rekrutim dhe bazë logjistike të xhihadistëve në Evropë.

Në raportin për gjendjen aktuale të sigurisë të 14 shtatorit, analistët e Ministrisë së Mbrojtjes të Austrisë tregojnë fotografi shqetësuese, veçanërisht kur bëhet fjalë për Bosnjë e Hercegovinën, raporton gazeta austriake heute.at.

“Problemi me islamizmin në Ballkanin perëndimor reflektohet në bazë të lidhshmërisë përmes diasporës, në hapësirën e BE-së”, thuhet në raport, përcjell albinfo.ch.

Derisa në Kosovë pas arrestimit të liderëve salafistë është vërejtur zvogëlim i aktiviteteve, në Bosnjë e Hercegovinë rritet rreziku nga sulmet terroriste, shtohet në raportin, të cilin e ka publikuar gazeta “heute”.

Personat nga spektri islamik, sipas Ministrisë, formojnë para së gjithash në BeH qendra dhe vende islamike.

Me rritjen e presionit të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak rritet edhe rreziku nga sulmet terroriste nga ana e simpatizuesve të kësaj organizate terroriste, si në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në tërë Evropën, paralajmërojnë analistët nga Ministria austriake e Mbrojtjes.

Austria në Ballkanin Perëndimor është e pranishme me pothuajse 800 ushtarë, 325 në misionin e EUFOR-it në BeH dhe 465 në misionin e KFOR-it.