Basha, akuza Ramës për zgjedhjet. Selami: Gabimin ta gjejmë te vetja

11.07.2017 14:16:54

Lulzim Basha vijon turin e takimeve me demokratët e Tiranës në zonën e Vorës, Kombinatit, Kasharit, Dajtit e Farkës. Basha tha se mazhoranca e zgjedhjeve të 25 Qershorit është fiktive dhe reflekton vetëm shitblerjen masive të votës së shqiptareve dhe si e tillë nuk do mund të qeverisë.

“E vetmja forcë politike që nuk u angazhua në këtë proces imoral ishte Partia Demokratike. E vetmja forcë politike që u ofroi një alternativë shqiptarëve ishim ne. Kjo që ka dal nga këto zgjedhje është një mazhorancë fiktive që reflekton vetëm shtrembërimin e votës. Kjo që ka dal nga këto zgjedhje kurrsesi s’mund të jetë një qeveri legjitime dhe nuk ka shansin të qeverisë në mënyrë legjitime dhe të drejtë. Jo vetëm sepse vjen me një defiçit demokratik pa votën e vërtetë të qytetarëve, pa vullnetin e vërtetë të qytetarëve, por se ardhja pa plan e pa vizion po duket që këto orë, ditë e javë të para. E keni parë që s’kanë para të paguajnë rrogat e mësuesve. Ekonomia është në kolaps, këta nuk kanë zgjidhje. Financat publike janë në kolaps, këta nuk kanë zgjidhje”, tha Basha.

Ndonëse 18 maji legjitimoi kauzën e zgjedheve të lira, tha Basha, Edi Rama “minoi terrenin elektoral me projektin e tij politik për të blerë votën e shqiptare duke përdorur paratë e drogës, korrupsionin e parave publike dhe bandat”.

Selami: PD do të dalë e bashkuar dhe e ringritur nga ky proces

Në takimet me strukturat e Qarkut të Tiranës, kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Eduard Selami, ka theksuar se platforma e tij synon të rikthejë të djathtën në identitet. Partia Demokratike, tha ai, po shkon nga humbja në humbje, pasi ka braktisur shtyllat kryesore, nga ëështja e pronave deri tek të përndjekurit.

“Po vazhdojmë të humbasim se kemi braktisur demokratët, kemi braktisur strukturat, kemi braktisur demokracinë, dhe do të rikthehemi më të fuqishëm vetëm kur të vendosim këto themele, më të forta se i kemi pasur”, tha Selami.

Selami, kërkon një analizë të sinqertë, pasi siç u shpreh ai asgjë nuk zgjidhet duke dalë në dritare dhe gjetur gabimet tek të tjerët.

“Është koha për një analizë të sinqertë, dhe ti shikojmë gjerat në sy. Nuk mjafton të shohim ca bën kundershtari, kundërshtari atë punë ka. I përkas atij grupi që kur diçka nuk shkon, gabimin e gjej të vetja. Njerëzit që shikojnë në dritare për të fajsuar të tjerët, nuk jan ata që ecin përpara dhe kan sukses”, tha Selami.

Ai thotë se në këto zgjedhje do fitojë modeli bashkëkohor i lidershipit, që sipas tij fatkeqësisht Shqipëria nuk e ka. Por si më të rëndësishëm, Selami, sheh që nga ky proces, Partia Demokratike të dalë e bashkuar dhe të gjejë rrugën e ringritjes.

“Unë jam i bindur që në këto zgjedhje do fitoi modeli bashkohorë i lidershqipit që fatkeqësisht shqipëria e ka humbur. Po kaq ka rendësi që nga ky proces të dalim të bashkuara të ringrihemi, kundershtari nuk është mes nesh”, tha Selami.