Basha në Patos: Rafineria e Ballshit, afera më e re korruptive e Ramës

13.11.2016 11:58:46

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha zhvilloi një takim me strukturat e Partisë Demokratike në Patos e Mallakastër, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama për aferën e radhës korruptive që sipas tij është rafineria e Ballshit.

“Sa është fitimi i rafinerisë?! 30 milionë euro në muaj është xhiroja, minimalisht 10 milionë euro në muaj është fitimi, pjestojeni për 5.000 naftëtarë. Sikur ky fitim t’u shkonte i gjithi naftëtarëve, bëhet fjalë për 2.000 euro për naftëtar, domethënë 2.6 milionë lekë të vjetra për naftëtar. Por ata kanë rroga minimale dhe pasiguri për nesër. Në vend që të kemi 5.000 naftëtarë me një pagë dinjitoze, nuk po them 2 milionë e 600 mijë, por të paktën 500 apo 600 mijë lekë, kemi Beson me një grusht njerëzish, që fusin në xhepat e tyre 10 milionë euro  në muaj dhe i ndajnë me Edi Ramën, me Damian Gjiknurin, me Arben Ahmetajn dhe shokë. Ky është realiteti i Shqipërisë sot, qeveritarët e korruptuar e kanë kapur prej fyti buxhetin e shtetit. Një grusht monopolistësh po vjelin pasuritë e shqiptarëve dhe nga ana tjetër mbështeten te një grusht kriminelësh që shfrytëzojnë mijëra shqiptarë, midis tyre fëmijë dhe gra për ta mbjellë Shqipërinë me hashash”, thotë Basha.

Basha shprehet se përballë tyre kanë një betejë të vështirë për përmbysjen e një klike të korruptuar dhe të inkriminuar, që do të bëjë gjithçka për të mbrojtur miliardat e përfituara nga buxheti i shtetit, krimi dhe droga.

“Ne jemi sot në një vend ku qeveria ekziston vetëm për të zhvatur pasurinë e vendit, ku kryeministri ekziston vetëm për t’u pasuruar dhe për të pasur sa më shumë pushtet. Për këtë arsye, buxheti i shtetit masakrohet me tendera, koncesione, privatizime e shpenzime, të cilat nuk shkojnë për mirëqenien e qytetarëve. Aleanca me krimin ka bërë të mundur që kryeministri t’u gëzohet qindra miliona eurove, dollarëve, lekëve të drogës. Beteja që kemi përballë është përmbysja e një sistemi, e një klike të korruptuar dhe të inkriminuar, e cila ka në lojë miliardat e buxhetit dhe miliardat e krimit, dhe do t’i mbrojë ato me çdo kusht e me çdo çmim. Përballë një klike që numëron me gishtat e dorës përfituesit nga buxheti i shqiptarëve, përfituesit nga mbulimi i Shqipërisë me drogë, sot nuk janë vetëm demokratët, sot nuk  janë vetëm të djathtët, sot përreth opozitës është bashkuar shpresa dhe besimi për një të nesërme më të mirë, i shumicës dërrmuese të shqiptarëve”, ka thënë Basha.