Basha: PD do të hapë e para negociatat me BE-në

09.11.2016 15:11:51

Kreu i opozitës Lulzim Basha e ka cilësuar një fitore të popullit rekomandimin pozitiv të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Në një konferencë për shtyp, Basha shtoi përshëndet vendimin e BE-së, por sipas tij qeveria duhet të luftojë dhe të presë lidhjet e saj me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Ky rekomandim të kthehet sa më parë në një pranim e anëtarësim në BE. Kjo është një fitore e qytetarëve shqiptarë që kanë luftuar për të ardhmen e vendit. Hapja e negociatave do të jetë fillimi i një rruge të gjatë e të pakthyeshme në integrimin e vendit. Ia njoh këtë arritje njerëzve të thjeshtë. Ka qenë forca e tyre që ka detyruar politikën të ndërmarrë hapat për këtë gjë, – tha Basha. – Sfida të mëdha na presin, zgjedhjet e ardhshme dhe prerja e lidhjeve tëë politikës me krimin e korrupsionin janë emergjente. Kjo rrugë e vështirë do të kalojë mes disa sfidave që Rama refuzoi të përballej. Sfidë po kaq e madhe, siç u shpreh Hahn e Vlahutin mbetet lufta kundër krimit e korrupsionit, fusha që Shqipëria nuk ka bërë përpara”.

Ai tha se do të jetë Partia Demokratike ajo që do të hapë bisedimet me Bashkimin Euroipian në procesin e integrimit të vendit.

“Partia demokratike do të jetë partia e parë që do të hapë negociatat me Bashkimin Evropian. Hapja faktike e negociatave do të bëhet nga PD, e cila nuk do të lejojë zhbërjen e reformës në drejtësi”, – theksoi Basha.