Basha: Prokuroria në mbrojtje të Shullazit, krimi e mban vendin larg BE-së

21.09.2018 14:55:31

Kryedemokrati Lulzim Basha mori pjesë në konferencën ballkanike që mbahet në Tiranë, “30 vjet pas. Çfarë e mban Ballkanin jashtë BE?”. Në fjalën e mbajtur Basha deklaroi se qeveria është e kapur nga krimi, duke shtuar se kjo është pengesa e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Ai përmendi një sërë çështjesh, që sipas tij tregojë lidhjet e qeverisë me krimin dhe po shkatërrojnë vendin.

“Lidhja e qeverisë me krimin është pengesa kryesore e Shqipërisë në BE. Rasti i mbrëmshëm është tronditës, kryeprokurorja ka lënë pa hetim çështjen e Shullazit. Prokuroria është në mbrojtje të Shullazit, mikut të mikut të Ramës. Është liruar Ermal Hoxha se nuk nxori emrin e Olsi Ramës. Krimi ka bekimin e ministrit të Brendshëm. Paratë publike përfundojnë në duart e personave me precedentë të tmerrshëm kriminalë. Njerëz të dënuar në disa shtete fitojnë qindra milionë euro tenderë nga qeveria e Edi Ramës.

Në lidhje me ligjin për Teatrin Basha tha se është korruptiv dhe se Rama përfiton 200 milionë euro.

“Shikoni çfarë ligjesh kaloi parlamenti së fundmi: miratoi ligj për lojërat e fatit dhe miratoi ligjin për Teatrin, që të fitojë Rama 200 milionë euro. Pra, parlamenti për dy javë mori dy vendime: Bixhozit i uli taksat dhe i hapi rrugën, pastrimit të parave të pista në ndërtim”, theksoi kreu demokrat.