Basha takon Engel: Zgjedhjet e lira e të ndershme, sfida kryesore

02.09.2016 10:45:34

Kongresmeni amerikan Eliot Engel ka mbërritur në Tiranë duke pasur një axhendë takimesh me presidentin e Republikës, Bujar Nishani dhe kryedemokratin Lulzim Basha. Në takimin e zhvilluar në selinë e PD-së, Basha vlerësoi rolin e kontributin e Engel sa i përket procesit të reformave dhe veçanërisht të asaj për drejtësinë. Sipas njoftimit zyrtar, “zgjedhjet e lira dhe të ndershme, krimi dhe droga me mbështetje shtetërore si dhe korrupsioni i përhapur gjerësisht, ishin shqetësimet e ngritura nga zoti Basha në këtë takim”.

Ndërsa në lidhje me reformën në drejtësi, Basha ka theksuar se PD-ja do të vazhdojë të japë kontributin e saj për miratimin e ligjeve, të cilat nuk duhet të shkelin përcaktimet kushtetuese të miratuara me konsensus me 22 korrik. Me herët kongresmenin Engel ka takuar edhe presidentin e republikës Bujar Nishani.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dje ka shoqëruar kandidatin për Dibrën, Sherefedin Shehu në fushatë elektorale, ku akuzoi qeverinë se me arrogancë, gjoba dhe taksa të larta po falimenton bizneset dhe po mbyll mijëra vende pune. Basha u ndal dhe tek konkurrenca e pandershme që i bëhet biznesit dibran, ku çdo tender në këtë bashki e merr deputeti i PS, Sadri Abazi.