Mungesa e rezultateve konkrete në dialogun Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nxitur kërkesën për përfshirje më të madhe në dialog të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dështimi i takimit trepalësh të kësaj jave në Bruksel po konsiderohet si zvarritje e procesit të dialogut dhe mungesë e imponimit të BE-së karshi palës serbe për agjendën e diskutimit. Rikyçja e ShBA-së në procesin përfundimtar të dialogut Kosovë-Serbi, shihet si dobiprurëse për vendin nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Qëllimi i BE-së, sipas njohësit të procesit të dialogut, Dritëro Arifi është krijimi i një ambienti paqësor në rajon përmes dialogut. Ai thotë për KosovaPress, se BE-ja duhet të jetë më serioze në trajtimin e temave të dialogut dhe të ketë një imponim më të fuqishëm. Këtë, siç thotë e arrijnë në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“BE-ja po dëshiron të mbajë dialogun gjallë që të krijojë një ambient më paqësor. Ky është qëllimi final i BE-së si është duke e parë dhe shkuar hap pas hapi për të krijuar një paqe. Dështimi po tregon se palët nuk janë të interesuara për të zgjidhur problemin, dialogu bëhet për të zgjidhur problemin jo për t’i ikur…BE-ja duhet të jetë më serioze me temat dhe të njëjtat duhet të jetë të afatizuara. Jemi duke e ripërsëritur se kështu nuk mundet të zhvillohet dialogu mes dy shteteve të armiqësuara. Duhet një imponim më i fuqishëm… 2:42 Do të jetë e paevitueshme ri kyçja e ShBA-ve në procesin përfundimtar. Nga këndvështrimi im procesi do të imponohet nga dy palët pasi po vërehet se pa një kompromis dhe asnjëra palë nuk po e bënë hapin e parë. Të njëjtin i takon ta bëjë Serbia për shkak të dëmeve dhe krimeve që i ka bërë në Kosovë”, thotë ai.
Përfshirjen më të madhe të ShBA-së në procesin e dialogut e sheh si të mirëseardhur për Kosovën, hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Arbër Fetahu.
“Gjithmonë imponimi i ShBA-së është i mirëseardhur për Kosovën, por linja zyrtare e ShBA-së është udhëheqës i dialogut zyrtar është Bashkimi Evropian. Besoj që Kosova mund të bëjë më shumë, në kuptimin e proaktivitetit që të përafrohet më shumë me ShBA-në në qëndrime dhe të ketë sa më shumë unifikim mbi dialogun me palën amerikane. Marrë parasysh se ShBA-ja ka pikëpamje të qartë as i përket Kosovës dhe shtetësisë së saj. Edhe letra e zotëri Biden tregoj që dialogu Kosovë-serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke. Çdo përafrim me ShBA-të dhe në thelb e ka njohjen reciproke dhe i bënë nderë Kosovës”, thotë Fetahu.
Nga ana tjetër, profesori Arifi, kërkon lobim më të madh të Kosovës te partnerët ndërkombëtar për përfundimin e marrëveshjes finale, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, edhe takimet e ardhshme që mund të ndodhin të nivelit të lartë nuk do të sjellin diçka konkrete.






































