BE në presion/ Koronavirusi zbuloi të metat, liderët evropianë nuk treguan unitet

01.05.2020 17:08:42

Samiti Evropian javën e kaluar u përshëndet si një moment i së vërtetës. Në një intervistë të fundit, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se si liderët evropianë kishin një takim me historinë dhe duhej të bëheshin bashkë, dhe të tregonin se Evropa ishte në gjendje të përgjigjej me një zë të përbashkët dhe me mjete të përbashkëta, për krizën Covid-19.

Ata miratuan një udhërrëfyes për të dalë nga izolimi ndërkohë që secili vend në të vërtetë e kishte vendosur dhe kishte shpallur planet e veta, të pakoordinuara të daljes. Në disa vende, si në Gjermani, heqja e izolimit nuk është një e drejtë e qeverisë federale dhe koordinimi midis shteteve është mjaft sfidues, lëre më koordinimi me vendet e tjera.

Si rezultat i pabarazisë së madhe në nivelin e infeksionit në secilin vend, pabarazisë në furnizime mjekësore dhe niveleve të ndryshme të kapaciteteve të testimit (Franca është afërsisht 150,000 në javë dhe Gjermania ka kapacitete për 700,000), secili vend është duke ecur në rrugën e vet. Kjo mungesë e koordinimit rrezikon një valë të dytë të izolimit, pasi virusi udhëton nga një vend në tjetrin.

Liderët gjithashtu ranë dakord për një plan të rimëkëmbjes ekonomike që është i pa plotë dhe i pabalancuar, dhe po mbjell farën e divergjencës së thellë midis shteteve anëtare. Shumica e rregullave të ndihmës shtetërore janë hequr, duke lejuar qeveritë të mbështesin sektorin e tyre të korporatave, siç e shohin të përshtatshme. Kjo është e nevojshme duke marrë parasysh rrethanat, por është e përballueshme vetëm për ato vende me bilancet më të forta.

Në këto vende, injeksionet e kapitalit nga qeveria, kreditë koncesionare (ato të dhëna me kushte më të favorshme sesa ato të tregut) dhe garancitë do t’i lejojnë sektorit të korporatave, të përballojë koston e krizës, por do të dëmtojnë thellësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme, nivelin e lojës brenda tregut të përbashkët.

Në mënyrë të ngjashme, aftësia e secilës qeveri për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike do të kufizohet shumë nga niveli i borxhit të tyre. Aftësia për të mbështetur familjet ose të papunët do të ndryshojë shumë nga një vend në tjetrin, duke krijuar plagë të forta për më të dobëtit, si Italia ose Spanja, të cilët nuk mund të ofrojnë të njëjtin nivel mbështetjeje si Franca apo Gjermania.

Samiti miratoi instrumentet e propozuar nga ministrat evropianë të financave, të cilat mbështeten plotësisht në idenë se ndihma vjen në formën e huave nga BE, për vendet kur ato humbasin qasjen në tregjet financiare ose kur kushtet e tregjeve të tyre përkeqësohen. Ndërsa kjo zvogëlon kostot e huamarrjes, por nuk e ndryshon barrën e borxhit të paqëndrueshëm afatgjatë që do të krijojë kriza.

Në mungesë të një përvetësimi të vërtetë, me anë të të cilit qeveritë evropiane të ndajnë koston e krizës në vend që secili shtet anëtar të shpenzojë dhe të marrë hua më vete, dhe një monetizimi real, ku Banka Qendrore financon këtë borxh të ri duke lëshuar para, vendet evropiane ose do të kalojnë gjeneratat e ardhshme me masa shtrënguese dhe depresione duke shlyer borxhin, ose do të kalojnë përmes ristrukturimit shkatërrues social dhe politik.