Beqaj: Faleminderit mjekëve që ​natën e ndërrimit të viteve ishin në krye të detyrës

01.01.2017 12:46:55

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka falënderuar të gjithë stafin mjekësor që ka ofruar shërbim në natën e ndërrimit të viteve. Ai ka bërë me dije edhe rastet që janë menaxhuar mbrëmë.

“Gëzuar dhe një urim i veçantë për të gjithë mjekët, infermierët dhe personelit shëndetësor që e kaluan natën e ndërrimit të viteve në krye të detyrës!

Janë menaxhuar me sukses 130 thirrje për ndihmë nga Shërbimi i Urgjencës Mjekësore në Tiranë, i cili kishte në dispozicion 5 autoambulanca të pajisura me oksigjen, defibrilatorët multifunksionalë dhe të gjitha barnat e nevojshme të dhënies së ndihmës së shpejtë. Dy autoambulanca ishin të stacionuara në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe Sheshin ‘Nënë Tereza’, nga ora 22:30 e mbrëmjes e deri në orën 02:30 të mëngjesit, ndërsa tre autoambulanca të tjera ishin në funksion të thirrjeve për ndihmë të qytetarëve, me 7 mjekë, 9 infermierë dhe 6 shoferë.

22 misione u kryen nga çdo autoambulancë në shërbim të thirrjeve për ndihmë nga qytetarët për natën e ndërrimit të viteve.

Është dhënë ndihmë mjekësore për 110 pacientë, ndërsa të tjerët janë këshilluar nëpërmjet telefonit. Ndihma mjekësore është dhënë kryesisht për 40 raste të pacientëve që kishin konsumuar alkool, ndërkohë që 90 raste të tjera kanë qenë të sëmurë, kryesisht me Diabet HTA (Hipertension Arterial) dhe Insufiçencë Kardiake, etj., pa përjashtuar statuse febrile tek fëmijët dhe moshat e treta si pasojë e virozave. Reagimi nga shërbimi i urgjencës mjekësore ka qenë i menjëhershëm edhe për dy raste aksidentesh automobilistike, të cilat rezultuan pa rrezik për jetën.

Ndërkohë, 133 raste u trajtuan nga ora 20:00 e ditës së djeshme deri në orën 08:00 të mëngjesit të sotshëm në shërbimin e urgjencës së QSUT-së, nga ekipi prej 4 mjekësh dhe 10 infermierësh. 62 prej këtyre rasteve ishin intoksikime nga alkooli, 12 ndërhyrje krirugjikale dhe 12 mikrokirurgji.

Po ashtu, në Spitalin Universitar të Traumës ka shërbyer një ekip prej 40 profesionistësh të shëndetit, me 11 mjekë, 2 laborantë, 23 infermierë, 1 shofer, 1 elektriçist, 1 oksigjenist, dhe 1 laborant gjaku.

22 pacientë janë trajtuar në urgjencën kirurgjikale të SUT-së, prej të cilëve 4 u shtruan (3 të rrëzuar, 1 i goditur me mjete të forta), 5 qytetarë të dëmtuar nga fishekzjarret në duar, pa dëmtime serioze, të cilët u dërguan në shtëpi pas mjekimit.

Ndërsa në urgjencë e terapisë së SUT-së, u trajtuan 25 raste, prej të cilave, 15 me intoksikim nga alkooli, të cilët pas mjekimit u dërguan në shtëpi”, tha Beqaj.