Beqiri: Në sondazhet ndërkombëtare të kësaj jave, LDK e para (Video)

18.05.2019 23:25:26

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini, ka ardhur me një rrëfim për jetën dhe karrierën e tij politike.

Beqiri është i martuar dhe ka tre djem. Tregon se bashkëshortja i punon në një kompani private, ndërsa fëmijët e tij ndjekin mësimet në nivele të ndryshme të shkollave dhe universiteteve publike në Kosovë.

Ish-kryetari i Prishtinës ka treguar se ka qenë pjesëmarrës në protestat studentore në janar të vitit 1990, i cili në cilësinë e studentit kishte lexuar gjashtë kërkesat e protestuesve.

Beqiri thotë se në pjesën e lagjes “Kodra e Trimave” ku kishte me mijëra shtëpi, e vetmja shtëpi që ishte djegur gjatë luftës ishte e tij.

Ai gjatë këtij emisioni, siç përcjell Telegrafi, ka folur edhe për fillimet e aktivitetit të tij politik, duke veçuar drejtimin e degës së LDK-së në lagjen e Prishtinës “Kodra e Trimave”.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, thotë se Ibrahim Rugova mbetet i pazëvendësueshëm për LDK-në dhe Kosovën.

Duke folur për situatën aktuale politike, Beqiri ka thënë se në bazë të sondazheve ndërkombëtare LDK aktualisht është subjekti i parë me një diferencë të ndjeshme me dy partitë pasuese.

“Ne [LDK] jemi numër një dhe prijmë me rreth 8 pikë me subjektin pasues, siç e vlerësojnë ata. VV dhe PDK kanë një diferencë të ngushtë dhe pasojnë subjektet tjera. Mund të ju them se matjet janë bërë javën e fundit”, tha ndër të tjera Ismet Beqiri.