Beqiri: Serbia po blen pronat e shqiptarëve, po ndërton banesa kolektive

07.05.2020 17:07:10

Kryetari i Këshillit të Lagjes së Boshnjakëve, Fevzi Beqiri ka lëshuar alarmin për gjendjen e shqiptarëve në veriun e Mitrovicës.

Fevzi Beqiri ka thënë për RTV Dukagjinin se shqiptarët e veriut po kanë brenga të shumta pasi spastrimi etnik i shqiptarëve po vazhdon në këtë pjesë të Kosovës.

“Ka filluar përsëri shitja e pronave të shqiptarëve e që të njëjtat po i blenë qeveria e Serbisë. Në ato prona ndërtohen ndërtesa gjashtë katëshe. Ky është një spastrim etnik modern në mënyrë të heshtur. Dihet se deri në kohën e luftës shqiptarët kanë përbërë 80% të pjesës veriore të Mitrovicës”.

Duke folur për situatën epidemiologjike, Beqiri thotë se për fat të mirë në Lagjen e Boshnjakëve nuk ka pasur persona të prekur nga COVID-19.

“Falënderojmë Këshillin Komunal dhe Ministrinë e Shëndetësisë që për herë të parë pas 21 viteve na ofrojnë mjekun dhe infermieren”.

Kryetari i Këshillit të Lagjes së Boshnjakëve thotë se shqiptarët e kësaj lagjeje deri më tani janë detyruar që shërbimet primare shëndetësore t’i marrin në pjesën jugore të qytetit.

“Qytetarët kanë qenë të diskriminuar. Janë detyruar të shkojnë me taksi për shërbime primare mjekësore”, ka thënë ai.

Beqiri thotë se shqiptarët e kësaj zone deri më tani janë konsideruar si qytetarë të dorës së dytë.

“Serbët i marrin të gjitha privilegjet nga Republika e Kosovës dhe nga Republika e Serbisë”.

Beqiri thotë se mbi 500 banesa të shqiptarëve në veri i kanë uzurpuar serbët dhe nuk i lëshojnë ndërsa sipas tij shtëpitë e djegura të shqiptarëve nuk lejohen të ndërtohen.

“Kërkojmë nga qeveria aktuale që urgjentisht të veprojë e të mos lejojë të ndërtohen banesa kolektive duke ndryshuar strukturën e popullsisë”, tha ndër të tjera Fevzi Beqiri.