Berisha i kujton Ramës burgun: Do të fshijmë nga faqja e dheut!

30.03.2017 12:23:52

Ish-kryeministri Berisha ka ashpërsuar gjuhën në ditën e 41-të të protestës së opozitës, duke paralajmëruar direkt kreun e qeverisë se meriton burgun për të gjitha këqija që i ka shkaktuar Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Nga çadra përballë kryeministrisë, Berisha i kujtoi Ramës se nëse nuk jep dorëheqje ose largohet, revolta popullore do të shfrytëzojë të gjitha format për ta rrëzuar, qoftë edhe përmes mosbindjes civile.

“Kjo betejë është vendimtare, që ne nuk mund ta humbin kurrë. Rama ta ketë të qartë, se në çdo moment që vendosin këta qytetarë këtu, ky bulevard do ketë qindra e mijëra njerëz. Merri këto, si ditë mëshire që ti nuk e meriton, se duhet ta kesh të qartë, fundi yt është ose burgu, ose fataliteti. Rrugë tjetër nuk ke. Poshtërimi që i ke bërë vendit dhe qytetarëve, dhunimi zgjedhjeve, kriminelët që solle në pushtet, janë të gjitha aktakuza e këtij populli ndaj teje. Ti meriton të kalbesh gjithë jetën në burgje”.

“I bindur të jesh, se nga leckat do krehesh dhe do përfundosh në ujërat e lanës aty ku e ke vendin. Këtë revolucion e kanë marrë në dorë qytetarët, – vijoi Berisha paralajmërimin për kryeministrin. – Kjo bëhet me përmbysje dhe me të gjitha format e mosbindjes civile, për ta shporrur ‘Eskobarin’ nga Shqipëria. Ti e meriton, sepse i ka bërë gjëmën vendit, duke e mbuluar me vello të zezë kanabisi. Do ta fshijmë nga faqja e dheut, Edi Ramën dhe drogën, drogën dhe Edi Ramën”, – tha mes të tjerash Berisha.