Sali Berisha: Rama bllokon dialogun, duke vendosur kushte

05.04.2017 10:25:19

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas deklaratave të kreut të Kuvendit Ilir Meta për “qeverinë e besimit” si të vetmen zgjidhje për krizën.

Me anë të një postimi në Facebok, ai i ka bërë thirrje kryeministrit Rama t’i përgjigjet thirrjeve të opozitës por edhe të aleatit në qeverisje të tij e mos të bllokojë por të nisë menjëherë dhe pa kushte dialogun për zgjidhjen e krizës së rëndë të vendit.

“Ndaj kërkesës së kreut të opozitës Lulzim Basha për dialog pa kushte, Rama përdor si mburojë kushtet. Për Edvinin, libri themelor i shtetit një herë quhet Kushtetutë e herën tjetër prostitutë! Kështu, në vitin 2007 kur ai kërkoi shtyrjen dhe zgjedhjet u shtynë tre muaj vetëm për certifikatën e gjendjes civile për zgjedhësin, e cila në Tiranë dhe 70% të vendit lëshohej nga bashkitë socialiste, ajo nuk ishte Kushtetutë, por ishte thjesht prostitutë!, – komenton Berisha. – Kurse tani që Rama ka mbushur vendin me drogë, banda, krim dhe që opozita kërkon qeveri teknike dhe shtyrje të zgjedhjeve për të pasur zgjedhje te lira, Rama mbron karrigen e tij duke thënë se shtyrjen e zgjedhjeve nuk lejon Kushtetuta, sikur Kushtetuta lejon mbushjen e vendit me droge dhe krim, te lidhur direkt me Edvinin”.

Berisha thotë se Rama duhet të pranojë ndërkohë edhe kërkesën e aleatit të tij në qeveri: “Me këtë rast i bëj thirrje Edi Ramës, të heqë çdo kusht dhe t’iu përgjigjet thirrjeve të opozitës, por edhe të aleatit në qeverisje të tij, mos të bllokojë, por të nisë menjëherë dhe pa kushte dialogun për zgjidhjen e krizës së rëndë të vendit!”