Berisha: Vendi i tretë dështim, synojmë vendin e dytë

09.11.2016 15:26:06

Pas një viti ëndrrash, ku Shqipëria u bë pjesë e futbollit të madh falë pjesëmarrjes në Kampionatin Europian dhe në një sezon përrallor me Atalantën, ku është mes portierëve me performancën më të mirë në Europë, Etrit Berisha nuk mendon të ndalet. Gardiani kuqezi flet për vendin e dytë në grupin kualifikues të Botërorit 2018, si objektivi që duhet realizuar.

“Me Izraelin është  ndeshja jonë më decizive sepse luajmë me një kundërshtar direkt, për të pasur një mundësi të mirë për të arritur vendin e dytë”

Asnjë lapsus! Çdo rezultat tjetër që nuk është vendi i dytë dhe një biletë drejt fazës play-off të Kupës së Botës, për Etrit Berishën do të ishte zhgënjim.

“Vendi i tretë është një dështim për ne. Në kualifikuese ose shkon ose nuk shkon. Vendi i tretë nuk është një arritje. Ne do të synojmë vendin e dytë.”

Përsa i takon sfidës me Izraelin, “Titi” vlerësoi forcën sulmuese të kundërshtarëve, megjithatë ka besim te Kombëtarja, se do të mbrohet mirë dhe do të krijojë për të gjetur golin e fitores.

“Izraeli ka një ekip shumë të fortë në fazën sulmuese. I kemi parë të gjitha stervitjet e tyre. Ne do të mbështetemi te mbrojtja jonë solide, e cila do të ndihmojë edhe sulmin për të marrë 3 piket”.

Spostimi i ndeshjes nga Loro Boriçi i Shkodrës në Elbasan Arena për arsye sigurie të skuadrës mike nuk e shqetëson gardianin kuqezi, që i fton tifozët në stadium për ta kthyer mbrëmjen e 12 Nëntorit në festë kuqezi.

“Nuk kemi asnjë shqetësim nga ana e sigurisë, pasi ndeshjet që kemi luajtur më parë kanë qenë të gjitha shumë te sigurta.”