Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka vlerësuar se çështja e Kosovës nuk mund ta ndalojë rrugën e Serbisë për në Bashkimin Evropian, sepse, siç tha ajo, integrimi evropian dhe zgjidhja e marrëdhënieve me Prishtinën janë dy “histori të ndryshme”.
“Komisioni Evropian, respektivisht BE-ja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ata janë neutral ndaj statusit për shkak se pesë anëtar të rëndësishëm të BE-së nuk e njohin dhe nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Bërnabiq për “Novi Magazin”.
Kështu, vazhdoi kryeministrja, “ata prej nesh presin normalizimin e marrëdhënieve, jo të importojnë konflikte në BE, dhe normalizimi i marrëdhënieve do të thotë se mund të jetë çdo gjë: Unë mendoj se është kryesisht në interes të Serbisë, jo për shkak të BE-së, por në interes të Serbisë që më në fund të gjendet një zgjidhje afatgjate dhe e qëndrueshme”, raportojnë mediat serbe.
Bërnabiq tha se ajo ndjen “keqardhje që BE-ja nuk këmbëngul fuqishëm” që marrëveshja e Brukselit të zbatohet, sepse BE ishte “garantuesi i asaj marrëveshjeje”, transmeton “Zëri.info”.
“Nga të gjitha bisedat që kam pasur me ta, nuk më duket mua se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për çdo zgjidhje fleksibile, por në qoftë se ju nuk jeni gati për një zgjidhje fleksibël, mua më duket se kemi të bëjmë për të ruajtur status quo-në dhe një konflikt të ngrirë”, tha ajo.
Bërnabiq vlerësoi se një “konflikt i ngrirë” mund të zgjasë për dekada të tëra dhe i cili nuk do të ishte i mirë për Serbinë, duke shtuar se nisma e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për fillimin e dialogut të brendshëm është gjë “shumë e guximshme”.






































