Besimtarët musliman kthehen në xhami për të falur Fitër Bajramin

13.05.2021 10:30:04

Besimtarët musliman në Kosovë për shkak të pandemisë nga Covid-19, nuk i kryen ritet fetare nëpër xhami për dy festa, por kësaj radhe ata u nisën drejtë xhamive për të falur Fitër Bajramin. Xhamitë u hapën vetëm 10 minuta para faljes, pasi që besimtarët duhej të falnin namazin e sabahut në shtëpi.

Në xhamitë e Kosovës nuk kishte manifestim tradicional të kësaj feste, por u organizua vetëm Namazi i Bajramit.

Qytetarët të cilët falën bajramin në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, thanë për KosovaPress, se u kishte munguar falja e namazit të Bajramit në xhami.

Bujar Jakupi nga Prishtina tha se ishte kënaqësi të kthehej në xhami, ani se duhet të mbahej distanca.

“Bajrami ka gjithë herë ndjenjat e veta, kështu që është një ndjenjë e veçantë po për arsyeje të pandemisë vitin e kaluar nuk kemi mundur me ardh në xhami, kësaj radhe erdhëm por edhe kësaj radhë ka pak me atë distancën e kështu por prapë se prapë e pamë një kënaqësi me që kem prezent në xhami…urime bajrami të gjithëve festofshim edhe shumë Bajram tjerë të lumtur jo si ky sot po siç e kemi festuar gjithëherë”, tha ai.

Faik Shaqiri tha se situata e pandemisë i ka ndalur të falin bajramet e kaluara. Ai u bëri thirrje besimtarëve të agjërojnë.

“Për shkak të situatës që ishte se gjithë e kemi falë edhe gjithçka ka shkuar në rregull, pasi është për krejt botën edhe për neve që na ka ndal pak po faleminderit që mbërritëm që edhe me kaluar pak Fitër Bajramit, na e kemi agjëru, edhe ata që nuk e kanë agjëru Zoti u mbusht mendjen edhe atyre për me agjëru, pa e agjëru ramazanin nuk është mirë”, tha ai

Por edhe pse Bashkësia Islame e Kosovës kishte njoftuar besimtarët se duhet të respektonin me përpikëri masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, shumë qytetarë shtrënguan duart me njëri-tjetrin për të uruar Fitër Bajramit. Kurse, një pjesë u panë edhe pa maska të vendosura në gojë.