Besnik Hasi kandidat për stolin e Racing Genk

25.12.2016 15:06:38

Besnik Hasi drejt rikthimit në Jupiler League belge. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Racing Genk. Sipas mediave belge, ecuria larg pritshmërive e skuadrës, që për momentin renditet në vendin e 9-të në kampionat dhe është jashtë raundit final, ku do të vendoset titulli kampion, ka bërë që drejtuesit e klubit të mendojnë shkarkimin e teknikut Peter Maes.

Ditët e drejtuesit të stolit janë të numëruara dhe në “Luminus Arena” duket se kanë përzgjedhur edhe pasardhësin. Bëhet fjalë pikërisht për Besnik Hasin, që aktualisht është i lirë, pas largimit nga Legia e Varshavës në mesin e muajit Shtator.

Nëse emërohet, detyrat e gjakovarit për pjesën e mbetur të sezonit janë të qarta. Fillimisht 44-vjeçari Hasi duhet ti japë më tepër hapësira lojtarëve të rinj të Akademisë së Genkut.

Me 10 ndeshje të mbetura deri në mbylljen e sezonit të rregullt dhe faktin që në klub ka pak optimizëm për të rikuperuar diferencën prej 9 pikësh nga vendi i gjashtë, i cili është pozicioni i fundit që lejon pjesëmarrjen në raundin ku përcaktohet fituesi i titullit, drejtuesit kërkojnë që Hasi të përqendrohet në Kupën e Belgjikës dhe në Europa League.

Pikërisht kjo është arsyeja përse Genku pritet ti besohet Hasit. Shqiptari është një trajner që i motivon lojtarët dhe mjaft pragmatist kur bëhet fjalë për të fituar trofe. Kjo ndodhi në sezonin e tij të parë te Anderlechti, kur ekipi nuk kishte thuajse asnjë shans për titullin, por Besnik Hasi bëri mrekullinë. Gjithashtu, me eksperiencën e jashtëzakonshme si lojtar dhe trajner, gjakovari cilësoihet si njeriu ideal për ta udhëhequr Genkun drejt kualifikimit në 1/16-at e Europa League, ku si kundërshtarë do të jenë rumunët e Astra Ploiesti.