Bislimi: Qeveria nuk është e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje të dëmshme për Kosovën

11.03.2020 18:08:43

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka thënë se Qeveria Kurti nuk është e gatshme ta nënshkruaj një marrëveshje të dëmshme për Kosovën.

Bislimi në seancën e jashtëzakonshme ku po flitet për raportet Kosovë-ShBA, ka thënë se Qeveria e kaluar ka qenë e mbuluar në krim dhe korrupsion. Ai ka thënë se e vetmja parti që në vazhdimësi ka kërkuar heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit është Vetëvendosja.

“Qeveria u sulmua për gjitha dështimet që nga paslufta. Vetëm për këto ditë kemi ndërmarrë shumë vendime. Me shkarkim të bordeve, kemi ndërprerë keqpërdorime të parave. Kur ta propozoj buxhetin do ju informoj më shumë për keqpërdorimet e qeverive të kaluara. Fakti që jemi ulur në këto ulëse nuk do të thotë të na ruaj nga korrupsioni. Ndryshimet që kanë filluar me 3 shkurt ka prodhuar shumë fitues e këta janë qytetarët. Fatmirësisht ka grumbulluar edhe një numër humbësish. E keqja e saj është se këta humbës janë ulur në këtë kuvend. Tarifa është vendosur nga qeveria e kaluar dhe asnjëherë nuk është kërkuar që të hiqet dhe vetëm një parti ka kërkuar heqje të taksës dhe vendosje të reciprocitetit, pra është VV-ja. Nuk ka asnjë studim se mund të konkludohet se taksa e ka dëmtuar bizneset,  madje Haradinaj na ka lodhur duke thënë se taksa e ka fuqizuar biznesin. Pas heqjes së taksës Qeveria Kurti nuk është e gatshme ta nënshkruajë një marrëveshje që është e dëmshme për Kosovën” tha Bislimi.