Blindohet Gjykata për të dyshuarit e vrasjes së zyrtarëve të UNMIK-ut

06.07.2017 12:53:09

Të arrestuarit nën dyshimet për vrasjen e dy zyrtarëve të UNMIK-ut janë sjellë në gjykatë nën masa të rrepta sigurie.

Njësi që nuk janë parë asnjëherë tjetër në Pallatin e Drejtësisë, të armatosur me armë të gjata dhe me veshje kamuflazh kanë sjellë në gjykatë të arrestuarit e djeshëm nën dyshimet për vrasjen e dy zyrtarëve të UNMIK-ut në vitin 2004.

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u zhvilluar seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve.

Dy persona u arrestuan dje afër Podujevës në një aksion të përbashkët të Policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës.

Lajmin për këto arrestime e bëri të ditur dje për medie Prokuroria Speciale, ndërsa EULEX-i tha për KALLXO.com se arrestimet nuk lidheshin me Gjykatën Speciale.